Lajme
Historia e rrallë/ Pas rreth 50 vitesh, një vajzë lind në shtëpi në fshatin italian… dhe është shqiptare
18 Mars, 2026 | 11:12 pm

Një histori e pazakontë dhe emocionuese ka ndodhur në Sorgà, ku një çift me origjinë shqiptare përjetoi një lindje krejtësisht të papritur… në shtëpi. Gjithashtu mediat italiane raportojnë se ajo është bebja e parë femër pas 50 vitesh në fshatin italian që lind në ato kushte.
Ariola, 29 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Jetmir Aruçi, 35 vjeç, nuk arritën të shkonin në spital, pasi vogëlushja e tyre vendosi të vijë në jetë shumë më shpejt nga sa pritej. Edhe pse lindja ishte planifikuar për 16 mars, gjithçka ndodhi brenda pak minutash gjatë natës.
Rreth orës 2:00, Ariola nisi të ndjente dhimbje, por në fillim nuk u duk alarmante. Situata ndryshoi menjëherë kur i plasën ujërat, ndërsa ndodhej në dhomën e djalit të tyre të vogël, Lion. Në atë moment, Jetmiri telefonoi urgjencën, por kuptoi shpejt se nuk kishte kohë për të pritur.
Me ndihmën e një fqinje dhe udhëzimet e stafit mjekësor në telefon, lindja u realizua në shtëpi. Brenda pak minutash, vajza e tyre, Isabel, erdhi në jetë në mënyrë të sigurt.
Një moment tensioni ishte kur kordoni i kërthizës ishte mbështjellë rreth qafës së foshnjës, por falë një reagimi të shpejtë dhe të kujdesshëm, situata u zgjidh pa pasoja. Pas lindjes, ambulanca mbërriti dhe nënë e bijë u transportuan në spital, ku qëndruan për disa ditë nën kujdes mjekësor.
Fatmirësisht, gjithçka përfundoi mirë dhe sot Ariola dhe Isabel janë në gjendje shumë të mirë. Një pjesë e veçantë e kësaj historie është edhe djali i tyre 5-vjeçar, Lion, i cili pa lindjen e motrës së tij në dhomën e tij, duke e përjetuar momentin si diçka të jashtëzakonshme.
Familja Aruçi, që jeton prej vitesh në Itali, ka zgjedhur jetën e qetë në fshat, duke e konsideruar vendin ideal për të rritur fëmijët e tyre dhe tashmë kanë një histori që do ta kujtojnë gjithmonë.


















































