Kryefjala Logo

Yll Limani ndal koncertin dhe surprizon publikun me dedikimin për Shpat Kasapin

18 Korrik, 2026 | 1:57 pm

Një atmosferë e jashtëzakonshme ka mbizotëruar në koncertin e Yll Limanit në Shkup, ku mijëra fansa u mblodhën për të kënduar së bashku hitet më të njohura të artistit.

Mes muzikës dhe energjisë së publikut, këngëtari vendosi të ndalte për pak çaste performancën për t’i kushtuar një moment të veçantë Shpat Kasapit, të cilin e cilësoi si një nga artistët që ka ndikuar në formimin e tij muzikor.

“Shpat Kasapi është një nga artistët me më së shumti ndikim në muzikën shqiptare dhe një nga ata artistë që më ka formuar”, u shpreh Ylli para publikut.

Këngëtari tregoi se ishte rritur me muzikën e Shpat Kasapit dhe se njihte pothuajse çdo këngë të repertorit të tij. Edhe pse nuk kishin pasur një miqësi të afërt, Ylli kujtoi me emocion disa takime të rastësishme mes tyre.

“Kur isha i vogël, i doja shumë këngët e tij dhe nuk kishte këngë që nuk ia dija. Nuk e kam njohur personalisht, por dy-tri herë e kam takuar në aeroport dhe gjithmonë jam shtangur nga ideja që takova idhullin e fëmijërisë sime”, rrëfeu ai.

Pas fjalëve të ndjera, Yll Limani interpretoi një këngë në nder të Shpat Kasapit, ndërsa publiku në Shkup e shoqëroi me duartrokitje dhe emocione. Ky u kthye në një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes, duke rikthyer përmes muzikës kujtimin e artistit.

Të ngjashme