Kryefjala Logo

Edhe pse nuk fitoi, Sheila Haxhiraj prezanton planin B për të mbërritur në Eurovizion

29 Dhjetor, 2025 | 8:57 pm

Rrugëtimi i Sheila Haxhiraj drejt skenës së Eurovizionit nuk u ndal me vendin e dytë në Festivalin e Këngës 64. Edhe pse nuk arriti të fitojë trofeun, këngëtarja shqiptare ka zgjedhur të mos heqë dorë nga ëndrra europiane, duke aktivizuar atë që tashmë quhet “plani B”.

Pas jehonës pozitive që mori kënga Zemra e Tokës, Sheila ka gjetur një tjetër derë të hapur për Eurovizionin: San Marinon. Ajo është përzgjedhur për të marrë pjesë në Finalen Kombëtare të këtij shteti për vitin 2026, ku do të konkurrojë pikërisht me të njëjtën këngë.

Hapi i radhës për këngëtaren do të jetë faza e audicioneve, e cila zhvillohet më 29 janar, një etapë vendimtare për të siguruar kualifikimin në finalen kombëtare.

San Marino, si një nga shtetet më të vogla në Europë, prej vitesh ka zgjedhur të hapë garën edhe për artistë ndërkombëtarë, duke u dhënë atyre mundësinë të përfaqësojnë vendin në skenën e madhe të Eurovizionit. Pikërisht kjo strategji i ka dhënë Sheila Haxhirajt një shans të dytë për të ndjekur synimin e saj.

Lajmi është konfirmuar nga vetë këngëtarja përmes rrjeteve sociale, duke treguar se, edhe pa fituar festivalin në Shqipëri, ambicia për Eurovizionin mbetet më e fortë se kurrë.

Të ngjashme