Kryefjala Logo

Ndërpritet në mes koncerti i Bad Bunny në Milano, evakuohen me urgjencë 80 mijë spektatorë nga arena

19 Korrik, 2026 | 9:45 pm

Një stuhi e fortë, e shoqëruar me breshër dhe erëra të fuqishme, ka detyruar organizatorët të ndërpresin koncertin e Bad Bunny në Milano. Rreth 80 mijë spektatorë që ndodheshin në Ippodromo La Maura u evakuuan për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të kushteve atmosferike.

Ylli portorikan po zhvillonte koncertin e tij të dytë dhe të fundit të planifikuar në qytetin italian, në kuadër të turneut botëror “Debí tirar más fotos”, kur stuhia goditi zonën dhe e bëri të pamundur vazhdimin e performancës.

Sipas raportimeve të mediave italiane, përfshirë ANSA dhe Adnkronos, koncerti u ndërpre mbrëmjen e së shtunës për shkak të breshërit të dendur dhe erërave të forta. Mijëra fansa u detyruan të largoheshin nga hapësira e hapur ku po mbahej eventi.

Deri më tani nuk janë raportuar pasoja të rënda në njerëz apo dëme të konsiderueshme materiale nga stuhia që përfshiu qytetin verior të Italisë.

Ndërkohë, organizatorët nuk kanë njoftuar ende nëse koncerti i ndërprerë do të zhvillohet në një datë tjetër.

Të ngjashme