Lajme
Video: Një person i armatosur hap zjarr në një shkollë në Turqi, 18 të plagosur
14 Prill, 2026 | 11:13 am

Një incident i rëndë ka tronditur Turqinë, ku një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë të mesme në provincën e Şanlıurfa, duke lënë të paktën 18 persona të plagosur.
Sipas raportimeve të mediave vendase, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, më 14 prill. Autori, ende i paidentifikuar zyrtarisht në momentet e para, ka përdorur një armë gjahu dhe ka qëlluar brenda ambienteve të shkollës.
Menjëherë pas sulmit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet mjekësore, ndërsa njësi speciale rrethuan godinën. Në përpjekje për t’i shpëtuar të shtënave, disa nxënës, të kapur nga paniku, u hodhën nga dritaret, ndërsa shkolla u evakuua me urgjencë.
Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan drejt spitaleve për trajtim të mëtejshëm.
Sipas guvernatorit të provincës, Hasan Şıldak, autori i dyshuar është një ish-nxënës i institucionit, i lindur në vitin 2007, i cili më pas dyshohet se i ka dhënë fund jetës. Dëshmitarët kanë përshkruar skena kaotike, me të shtëna të shumta brenda dhe jashtë ndërtesës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet që çuan në këtë sulm.


















































