Showbiz
Nga një lajm i rremë në një përplasje publike mes Çiljetës dhe Gjergj Lekës: Të të vijë turp nga vetja
14 Korrik, 2026 | 1:28 pm

Një fotomontazh satirik që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale është bërë shkak për një debat publik mes këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe kompozitorit Gjergj Leka.
Në imazhin që qarkulloi online pretendohej, në mënyrë të rreme, se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i kishte akorduar Çiljetës titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Edhe pse bëhej fjalë për një montazh humoristik, postimi u komentua gjerësisht dhe nxiti reagime të shumta.
Mes tyre ishte edhe ai i Gjergj Lekës, i cili e cilësoi fotomontazhin si “sarkazmën e vitit”. Në vijim të diskutimit, kompozitori shkroi se, nëse lajmi do të ishte i vërtetë, do të ishte “dita më e turpshme e presidentit shqiptar”.

Komenti i tij nuk mbeti pa përgjigje. Çiljeta reagoi përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar se nuk kishte marrë asnjë dekoratë dhe se bëhej fjalë për një lajm të rremë.
Këngëtarja kritikoi tonin e përdorur nga Gjergj Leka, duke theksuar se e konsideron të papërshtatshëm një reagim të tillë nga një artist. Ajo kujtoi gjithashtu rrugëtimin e saj në muzikë, televizion dhe aktrim, duke nënvizuar se ndihet krenare për atë që ka arritur ndër vite.

Reagimi i Çiljetës u pasua nga një tjetër përgjigje e Gjergj Lekës. Kompozitori u shpreh se e vlerëson atë si person, por jo për kontributin artistik që, sipas tij, ajo ka dhënë në muzikën shqiptare. Ai shtoi se i vjen mirë që vitet e fundit, sipas tij, shijet muzikore të këngëtares kanë ndryshuar dhe i uroi suksese në vazhdim.


Debati mes dy artistëve ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku ndjekësit janë ndarë në qëndrime të ndryshme lidhur me replikat e tyre.











































