Lajme
Një i dënuar për çdo dy ditë, shqiptarët përbëjnë 9% të të burgosurve të huaj në Britani
8 Prill, 2026 | 2:20 pm

Kriminelët shqiptarë vijojnë të jenë në fokus të autoriteteve në Britaninë e Madhe, teksa ritmi i dënimeve mbetet i lartë, mesatarisht një person çdo dy ditë. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, rreth 63 shtetas shqiptarë janë dënuar, duke grumbulluar në total 207 vite burg.
Sipas raportimeve të The Telegraph, shqiptarët përbëjnë rreth 9% të popullsisë së burgjeve në Angli dhe Uells, duke u renditur si grupi më i madh i të burgosurve të huaj. Pas tyre vijnë shtetasit irlandezë dhe polakë, secili me rreth 7%.
Një pjesë e konsiderueshme e të dënuarve dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në Britani përmes kalimit të Kanalit Anglez me varka të vogla, fenomen që u rrit ndjeshëm sidomos gjatë vitit 2022, kur mbi 12 mijë shqiptarë mbërritën në territorin britanik.
Veprat penale më të shpeshta mbeten trafiku i drogës dhe vjedhjet, por nuk mungojnë edhe raste më të rënda. Në raport përmenden edhe histori tronditëse, si ajo e një personi të dënuar për vrasjen e foshnjës së tij vetëm tre muajshe.
Kostoja për mbajtjen e një të burgosuri në Britani arrin rreth 60 mijë paund në vit, një barrë e konsiderueshme për taksapaguesit. Nëse të gjithë të dënuarit do të vuajnë plotësisht dënimet e tyre, shifra totale mund të afrohet në rreth 800 milionë paund.
Autoritetet britanike theksojnë se çdo i huaj i dënuar me mbi 12 muaj burg përballet automatikisht me dëbim. Ndërkohë, ligjet e reja synojnë përshpejtimin e këtyre procedurave, duke mundësuar kthimin e disa të dënuarve menjëherë pas shpalljes fajtorë. Fluturimet e deportimit drejt Shqipërisë janë shtuar ndjeshëm dhe tashmë zhvillohen pothuajse çdo javë.


















































