Lajme
Pasioni që u kthye në makth, si u infektua “pacienti zero” i hantavirusit
10 Maj, 2026 | 5:19 pm

Pacienti zero i shpërthimit të hantavirusit në një anije kroçiere është identifikuar si Leo Schilperoord, një ornitolog 70-vjeçar nga Holanda, pasioni i të cilit për vëzhgimin e shpendëve dyshohet se i kushtoi jetën.
Leo dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeçe, kishin nisur një udhëtim pesëmujor në Amerikën e Jugut. Sipas mediave italiane, çifti mbërriti fillimisht në Argjentinë më 27 nëntor, për të vijuar më pas drejt Kilit dhe Uruguajit. Në fund të marsit ata u rikthyen sërish në Argjentinë, ku morën pjesë në një ekskursion për vëzhgimin e zogjve, që rezultoi fatal.
Autoritetet argjentinase dyshojnë se çifti u infektua në një zonë grumbullimi mbetjesh në Ushuaia, ku besohet se kanë thithur grimca të kontaminuara nga jashtëqitjet e minjve bartës të variantit të rrezikshëm “Andes” të hantavirusit, i vetmi lloj që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
Më 1 prill, Leo dhe Mirjam hipën në anijen kroçiere MV Hondius së bashku me mbi 100 pasagjerë të tjerë, shumë prej tyre studiues apo adhurues të natyrës. Vetëm pak ditë më vonë, Leo nisi të shfaqte simptoma si temperaturë, dhimbje koke, probleme me stomakun dhe diarre. Ai humbi jetën në bord pesë ditë më pas.
Pas vdekjes së tij, Mirjam u largua nga anija gjatë një ndalese në ishullin Santa Helena dhe udhëtoi drejt Afrikës së Jugut për t’u kthyer më pas në Holandë. Por gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë fluturimit. Ajo u zbrit nga avioni pasi ekuipazhi e konsideroi të papërshtatshme për të udhëtuar dhe ndërroi jetë një ditë më vonë në aeroport.



















































