Kryefjala Logo

“O Zot, o Zot, çfarë bëra…”, Arrestohet shoferi i dehur i aksidentit tragjik në Durrës

3 Maj, 2026 | 6:03 pm

Zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik i regjistruar në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër po lufton për jetën. Policia ka vënë në pranga 57-vjeçarin Nikoll Radaçi, i cili drejtonte automjetin që përplasi të miturit.

Sipas të dhënave të fundit, drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15, ku tre fëmijë po luanin në trotuar pranë banesave të tyre.

57-vjeçari, duke drejtuar një fuoristradë tip “Benz” me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në trotuar ku ndodheshin të miturit. Përplasja ishte fatale për dy 10-vjeçarë, të cilët ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa një 8-vjeçar u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin dramatik pas aksidentit, ku drejtuesi i mjetit dëgjohet të thotë “O Zot, o Zot, çfarë bëra…”, ndërsa del nga makina dhe vendos duart në kokë. Megjithatë, ai nuk i është afruar fëmijëve për t’i ndihmuar, por është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, qytetarë të shumtë janë afruar menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, duke u përpjekur të shpëtojnë të miturit. Arratisja e autorit ka qenë e shkurtër, pasi policia e Durrësit arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë brenda pak kohësh.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në fokus rrezikun e drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit, si dhe sigurinë e fëmijëve në zonat e banuara. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.

Të ngjashme