Lajme
Kuvendi u kërkon deputetëve që të nderojnë diktatorin Enver Hoxha. Ja dokumenti që u shpërnda
6 Tetor, 2025 | 7:23 pm

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka reaguar ashpër ndaj një materiali zyrtar i cili u është shpërndarë nga Kuvendi i Shqipërisë të gjithë deputetëve të këtij legjislacioni. Në këtë material është përfshirë edhe figura e ish-diktatorit Enver Hoxha, si një ndër personalitetet që duhen nderuar përgjatë muajit tetor.
Përmes një video të postuar në llogarinë e tij në “Facebook”, deputeti Kapri thekson se përfshirja e Hoxhës në një dokument institucional që synon nderimin e figurave kombëtare është një akt i rëndë që fyen viktimat e komunizmit dhe cenon vetë identitetin demokratik të institucioneve të sotme.
Ai e ka cilësuar si të pafalshme faktin që në vitin 2025, Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka arritur të ndajë qartë vijën ndarëse mes trashëgimisë kriminale të regjimit komunist dhe vlerave të një shteti demokratik.

Kuvendi u kërkon deputetëve që të nderojnë Enver
Dokumenti qe iu dergua deputeteve te Kuvendit
“Ditën e premte në emailin e të gjithë deputetëve erdhi nëj material zzyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë ku na kërkohej që të nderonim figurat kombëtare dhe patriotike që kanë lindur në muajin tetor. Dhe gjejeni se çfarë? Mes tyre ishte edhe emri i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Është e pafalshme që në 2025 institucionet qendrore të shtetit shqiptar ende nuk e kanë të qartë trashëgiminë kriminale të Enver Hoxhës”, tha Kapri, teksa më tej bëri me dije se ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të dokumentit dhe një ndjesë publike, duke theksuar se vendi duhet të shkëputet përfundimisht nga e kaluara e errët e diktaturës.
“Kërkova që ky dokument të tërhiqet menjëherë dhe të kërkohet ndjesë. Ne duhet të shkëputemi nga e shkuara kriminale e regjimit komunist”, tha Kapri ndër të tjera.


















































