Kryefjala Logo

Stuhia godet jugun e vendit, erërat e forta rrëzojnë pemë dhe boshatisin plazhet

22 Korrik, 2026 | 6:38 am

Moti i keq ka përfshirë jugun e Shqipërisë, duke sjellë stuhi të forta, reshje intensive shiu, erëra të fuqishme dhe shkarkesa elektrike në disa qytete bregdetare.

Mbrëmjen e sotme, Saranda u godit nga një stuhi e fortë që zgjati vetëm pak minuta, por ishte e mjaftueshme për të shkaktuar probleme në disa zona të qytetit. Erërat e forta rrëzuan pemë, të cilat bllokuan përkohësisht disa segmente rrugore dhe vështirësuan qarkullimin e automjeteve. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shërbimet përkatëse kanë nisur punën për normalizimin e situatës.

Edhe Vlora dhe Himara janë përfshirë nga moti i rënduar, me reshje të dendura, erëra të forta dhe shkarkesa elektrike. Pushuesit u detyruan të largoheshin nga plazhet, ndërsa rrugët u boshatisën për shkak të kushteve atmosferike.

Një nga momentet më të forta u regjistrua në Llogara, ku një rrufe goditi malin, duke shkaktuar një vatër zjarri që dyshohet se u ndez si pasojë e shkarkesës elektrike.

Ndërkohë, Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka paralajmëruar se Ballkani do të vijojë të përballet me episode të motit ekstrem, të shoqëruara me stuhi të forta, reshje intensive, erëra të fuqishme dhe aktivitet të lartë elektrik.

Të ngjashme