Lifestyle
Ekspertë shkencorë dhe mjekësorë nga Europa kërkojnë politika të bazuara në shkencë për produktet pa tym
18 Maj, 2026 | 5:01 pm

Një koalicion prej 26 ekspertësh shkencorë dhe mjekësorë nga 16 vende europiane i është drejtuar me një letër të hapur institucioneve të Bashkimit Europian, duke kërkuar që çdo politikë e ardhshme mbi produktet e duhanit dhe nikotinës të mbështetet mbi prova shkencore dhe vlerësim proporcional të riskut.
Letra, e publikuar pas raportit të fundit të vlerësimit të Komisionit Europian, ngre shqetësimin se qasja aktuale rrezikon të trajtojë njësoj produktet me djegie dhe alternativat pa tym, pavarësisht dallimeve të dokumentuara shkencërisht mes tyre.
Sipas ekspertëve, ekziston një volum i konsiderueshëm provash shkencore që tregon se produktet pa djegie, si cigaret elektronike, produktet e duhanit të ngrohur, nikotina në qese (nicotine pouches) dhe snus, janë më pak të dëmshme krahasuar me vazhdimin e pirjes së cigareve tradicionale.
Në letrën drejtuar institucioneve europiane, ekspertët kërkojnë që çdo propozim i ardhshëm legjislativ:
• të vlerësojë produktet mbi bazën e riskut relativ dhe jo vetëm riskut absolut;
• të reflektojë qartë vazhdimësinë e riskut mes produkteve të ndryshme të duhanit dhe nikotinës;
• të adresojë rritjen e tregut të paligjshëm përmes rregullimit proporcional dhe efektiv;
• të jetë në përputhje me qasjen e kërkuar vazhdimisht nga Parlamenti Europian.
Letra mbështetet nga një paketë e gjerë provash shkencore, që përfshin mbi 130 studime, ku dokumentohet reduktimi i dëmit të produkteve pa tym në krahasim me cigaret tradicionale.
Një nga mesazhet kryesore të ekspertëve është se trajtimi i të gjitha produkteve të nikotinës si të njëjta nga pikëpamja e riskut për shëndetin publik, nuk përputhet me evidencën shkencore ekzistuese.
“Qasja që po merr formë në Europë rrezikon të ndërtohet mbi një premisë shkencërisht të gabuar: se produkte thelbësisht të ndryshme mund të trajtohen sikur mbartin të njëjtin risk si cigaret me djegie. Kjo nuk mbështetet nga provat,” – thuhet në letër.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se ngatërrimi i nikotinës me dëmet që vijnë nga tymi i djegies mund të çojë në keqinformim të publikut dhe në politika joefektive.
“Ngatërrimi i nikotinës me tymin nuk është një gabim i vogël teknik. Ai çorienton publikun dhe rrezikon të prodhojë politika të gabuara,” – theksojnë ata.
Sipas firmëtarëve, nëse produktet alternative vlerësohen vetëm kundrejt mospërdorimit total dhe jo kundrejt vazhdimit të pirjes së duhanit, atëherë injorohet vetë kuadri krahasues që Parlamenti Europian ka kërkuar më herët.
Ekspertët bëjnë thirrje që Europa të ndjekë një qasje të bazuar në shkencë dhe diferencim të qartë mes produkteve me djegie dhe alternativave pa tym, duke argumentuar se kjo është thelbësore për politika më efektive të shëndetit publik dhe për reduktimin e dëmeve që lidhen me duhanpirjen.
















































