Lifestyle
Shqipëria përballë epidemisë së heshtur/ 1 në 2 vdekje nga sëmundjet e zemrës
18 Korrik, 2026 | 7:38 pm

Sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut vijojnë të jenë një nga sfidat më të mëdha për shëndetin publik në Shqipëri, duke shkaktuar më shumë se gjysmën e vdekjeve në vend dhe një kosto të konsiderueshme për familjet, sistemin shëndetësor dhe ekonominë.
Sipas të dhënave për vitin 2024, nga 21,102 vdekje të regjistruara gjithsej, 11,694 lidhen me sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, duke përbërë rreth 53% të totalit. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se nivelet e raportuara në shumë vende europiane.
Ekspertët e lidhin situatën me një sërë faktorësh, mes tyre diagnostikimin e vonuar, mungesën e kontrolleve periodike, hipertensionin e patrajtuar, duhanpirjen, stresin, obezitetin, mungesën e aktivitetit fizik dhe një regjim ushqimor të pasur me kripë dhe yndyra.
Kardiologia Erviola Lleshi thekson se në shumë raste problemet kardiovaskulare zbulohen vetëm në faza të avancuara ose pasi pacienti përballet me një episod akut, duke e bërë trajtimin më të vështirë.
Shqetësues mbetet edhe fakti se këto sëmundje po prekin gjithnjë e më shumë moshat aktive. Të dhënat tregojnë rritje të vdekshmërisë në grupmoshën 45-64 vjeç gjatë dekadës së fundit, ndërsa faktorë si tensioni i lartë, diabeti dhe obeziteti shpesh mbeten të padiagnostikuar ose nuk trajtohen siç duhet.
Situata ndryshon ndjeshëm edhe sipas qarqeve. Kukësi rezulton me përqindjen më të lartë të vdekjeve nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, me 62.48%, i ndjekur nga Shkodra me 60.73%, Lezha me 58.2% dhe Dibra me 58%. Në skajin tjetër renditet Gjirokastra, me rreth 31.3%.
Sipas ekspertëve, diferencat mund të lidhen me stilin e jetesës, traditat ushqimore, nivelin e kontrolleve parandaluese dhe aksesin në shërbime të specializuara mjekësore. Në zonat e thella, distanca nga qendrat e specializuara dhe mungesa e specialistëve mund të ndikojnë në trajtimin në kohë të urgjencave.
Problemi ka edhe një kosto të konsiderueshme financiare. Në vitin 2024, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore shpenzoi rreth 4.5 miliardë lekë për rimbursimin e medikamenteve për sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe financimin e paketave të ndërhyrjeve kirurgjikale.
Një tjetër sfidë mbetet shpërndarja e pabarabartë e mjekëve specialistë. Sipas të dhënave të cituara nga Urdhri i Mjekut, në Shqipëri ka 267 kardiologë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të përqendruar në Tiranë dhe në qendrat e mëdha urbane, ndërsa disa zona të vendit kanë akses të kufizuar te specialistët.
Ekspertët vlerësojnë se ulja e vdekshmërisë kërkon një orientim më të fortë drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm. Kontrollet periodike të tensionit, kolesterolit dhe faktorëve të tjerë të rrezikut, së bashku me reduktimin e duhanpirjes dhe kripës, ushqyerjen më të shëndetshme dhe aktivitetin fizik, konsiderohen ndër masat kryesore.
Përvoja e vendeve europiane tregon se politikat afatgjata të parandalimit, forcimi i mjekësisë familjare dhe përmirësimi i aksesit në trajtimin e specializuar mund të ulin ndjeshëm barrën e sëmundjeve kardiovaskulare.
Për Shqipërinë, sfida mbetet e madhe: të kalojë nga një sistem që ndërhyn kryesisht kur sëmundja është avancuar, drejt një modeli ku diagnostikimi dhe parandalimi fillojnë shumë më herët. /Monitor

















































