Lifestyle
Ajo 103, ai 100 vjeç! Çifti zbulon sekretin e jetëgjatësisë dhe martesës së lumtur
18 Korrik, 2026 | 3:06 pm

Një çift nga Gaziantepi i Turqisë ka tërhequr vëmendjen me historinë e tyre të veçantë të dashurisë dhe martesën që zgjat prej më shumë se shtatë dekadash.
Mehmet Balaban, 100 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Cennet Balaban, 103 vjeçe, jetojnë në lagjen Dervişpaşa të İslahiye. Të martuar që prej vitit 1953, ata kanë krijuar një familje të madhe me tre djem, katër vajza, 25 nipër e mbesa dhe 26 stërnipër e stërmbesa.
Edhe pse në një moshë të avancuar, Mehmet dhe Cennet vazhdojnë të kryejnë vetë një pjesë të mirë të aktiviteteve të përditshme. Sipas çiftit, gjatë jetës së tyre nuk janë përballur me probleme të rënda shëndetësore, ndërsa tregojnë se iu është dashur të kërkojnë ndihmë mjekësore në vitin 2021, gjatë periudhës së pandemisë.
Duke folur për mënyrën e tyre të jetesës, Mehmet tregon se ushqimet e thjeshta dhe tradicionale kanë qenë gjithmonë pjesë e tryezës së familjes. Gjalpi, kosi dhe djathi janë ndër produktet që kanë konsumuar rregullisht, ndërsa ai veçon kosin si një nga ushqimet e tij të preferuara.
Sipas 100-vjeçarit, ngrënia me masë dhe ushqimet natyrale mund të kenë luajtur rol në jetëgjatësinë e tyre.
Ndërkohë, Cennet thotë se një tjetër sekret i jetës së gjatë së bashku është qetësia dhe mirëkuptimi. Ajo tregon se gjatë martesës nuk kanë pasur konflikte serioze dhe se edhe sot vazhdon t’i përgatisë çdo ditë bashkëshortit kafen turke.
Pas më shumë se 70 vitesh martesë, Mehmet dhe Cennet vazhdojnë të shijojnë jetën pranë njëri-tjetrit, duke vlerësuar, siç thonë ata, çdo moment që kalojnë së bashku.

















































