Lajme
“Erdhëm, erdhëm”/ Rikthehen në shtëpi Genardi dhe Sonida, falenderojnë mjekët
28 Shkurt, 2026 | 1:39 pm

Vëlla e motër, Genard dhe Sonida Hajdini, janë rikthyer në banesën e tyre pas disa ditësh trajtimi spitalor, ku u shtruan për shkak të gjendjes së rënduar emocionale pas ndarjes nga jeta të babait të tyre, Paqësorit.
Rasti i tyre preku opinionin publik, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale ngjallën reagim të menjëhershëm edhe nga institucionet. Administratori Florian Pullazi, së bashku me shërbimet e urgjencës, ndërhynë për t’i marrë në kujdes shëndetësor.
Pas trajtimit, Genardi dhe Sonida janë kthyer në shtëpi, duke u shfaqur më të qetë dhe në gjendje më të stabilizuar. Në një reagim të tyre, ata kanë shprehur mirënjohje për stafin mjekësor, infermierët dhe ekipet e shërbimit në repartet e Psikiatrisë dhe Infektivit, duke theksuar përkushtimin dhe kujdesin që kanë marrë gjatë këtyre ditëve të vështira.
“Na kanë qëndruar pranë dhe janë kujdesur për ne me shumë përkushtim,” mësohet të kenë thënë ata.
Historia e familjes Hajdini mbart një dramë të hershme, pasi vite më parë humbën nënën e tyre në një ngjarje tragjike në Tiranë, e cila la pasoja të thella në jetën e tyre. Pavarësisht vështirësive, Genardi dhe Sonida kanë qenë studentë të shkëlqyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rikthimi i tyre në shtëpi shihet si një hap pozitiv drejt rikuperimit, ndërsa shumë qytetarë kanë reaguar me mesazhe mbështetjeje për vëlla e motër.


















































