Lajme
Hajdari i Tironës: Keqardhje që nuk mbrojta dot bustin e Enver Hoxhës
23 Shkurt, 2026 | 2:05 pm

Ish-komandanti i FNSH-së “dje” dhe sot Prefekt i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka rikthyer në vëmendje ngjarjet e 20 shkurtit 1991, duke shprehur hapur keqardhje që busti i Enver Hoxha nuk u mbrojt dot nga forcat që ai drejtonte.
Deklaratat e tij, të bëra si përfaqësues i qeverisë së drejtuar nga Edi Rama janë shumë domethënëse, aq më tepër kur Shqipëri është ende një vend me plagë të hapura nga komunizmi.
“Ka qenë një ditë e ngarkuar, ka filluar herët në mëngjes. Studentët kanë zbritur nga Qyteti Studenti. Kishte frymë. Nuk ishin vetëm studentët ata që kërkon ndryshim. Fillimisht në shesh nuk ka pasur shumë njerëz afër bustit. Forcat speciale u ndanë. Mua më ra për risk që bashkë me grupin tim të shkonim në shesh sepse erdhën informacionet që po tentohej në distancë, po sulmohej me gurë busti i Enver Hoxhës”, thotë Hajdari, në një dokumentar të Top Channel.
Në këtë përshkrim, vihet re se fokusi i tij nuk është te energjia qytetare që kërkonte ndryshim sistemi, por te objekti që po sulmohej. Busti paraqitet si qendra e gravitetit të asaj dite për Hajdarin e Ramës, ndërsa revolta qytetare trajtohet si sfond.
“Orientimet ishin të qarta që mos të dëmtoheshin protestuesit, por në situata të tilla revolucioni, urdhrat nuk funksionojnë. Aty më shumë dorë ka individi, rastësia… Aty është duke rënë një sistem dhe po rilind një sistem tjetër. Ka njerëz dopio-emocional. Disa janë të lidhur me sistemin, disa e kanë me dy mendje. Por grupi i protestuesve erdhi duke u rritur. Sigurisht që edhe masat tona erdhën duke u rritur. Ishin qentë për të bërë detyrën e tyre, granatat lotuese që kishim atëherë edhe shotganët me plumba kauçuku”.
Këtu Hajdari përpiqet të krijojë një tablo kaotike, ku “urdhrat nuk funksionojnë” dhe gjithçka i lihet rastësisë. Por prania e qenve, granatave lotuese dhe armëve me plumba kauçuku tregon qartë se shteti ishte i përgatitur për përballje me qytetarët e vet. Në vend të një reflektimi mbi përplasjen mes një sistemi në rënie dhe një shoqërie në zgjim, deklarata duket si një justifikim teknik për përdorimin e forcës.
“Demonstruesit kanë pasur dirigjim. Rreth 15 minuta para se të kapte kulmin ajo protestë e madhe është ndërprerë komunikimi me zinxhirin, jo me Ramiz Alinë, por u ndërpre zinxhiri ynë deri te ministri. Ky komunikim u ndërpre. Përveç ndërprerjes së komunikimit ne kemi dhe bulonat e bustit të Enver Hoxhës që ishin liruar nga mbrapa”.
Teza e “dirigjimit” është një argument i vjetër i përdorur shpesh nga regjimet totalitare që përballen me revolta popullore. Duke sugjeruar se protesta ishte e komanduar, Hajdari minimizon zemërimin dhe indinjatën e një shoqërie të lodhur nga izolimi dhe represioni. Ndërprerja e komunikimit me zinxhirin komandues mbetet një çështje serioze, por në vend që të qartësojë përgjegjësitë, ajo shton mjegullën mbi vendimmarrjen e asaj dite.
“Nuk është e vërtetë që ne kishim urdhër të mos qëllonim. Të gjithë njerëzit ishin të armatosur me fishekë zjarri, përveç fishekëve të manovrës që mbaruan qëkur ishim te Kryeministria. Plumbat e kauçukut mbaruan. Nuk ka pasur asnjë urdhër që ne të qëllojmë ose të mos qëllojmë, por detyra e bënte që ai bust duhej mbrojtur”.
Kjo është ndoshta fjalia më e frikshme që ka nxjerrë nga goja Prefekti i Tiranës: “detyrë” për të mbrojtur një simbol të një regjimi që po shembej. Në atë moment historik, për mijëra shqiptarë, busti nuk ishte thjesht një monument, por mishërimi i një epoke krimesh, persekutimesh dhe izolimi. Sot, tre dekada më pas, të shprehësh keqardhje që ai simbol nuk u mbrojt dot, nënkupton jo vetëm një qëndrim institucional, por edhe një problem moral që mbetet i pazgjidhur në raportin e shtetit me të shkuarën e tij./ Marrë nga Syri.net


















































