Lajme
Ligji i ri në Afganistan për gratë, pse po komentohet nga të gjithë?
19 Shkurt, 2026 | 1:34 am

Talibanët kanë miratuar dhe po zbatojnë një kod të ri penal që, sipas kritikëve, ndryshon ndjeshëm mënyrën e trajtimit të dhunës në familje, duke e bërë atë më pak të dënueshme në praktikë.
Sipas raportimeve të mediave, ligji i ri ka hyrë tashmë në fuqi dhe parashikon që dhuna ndaj grave të konsiderohet krim vetëm në rastet kur shkaktohen dëmtime serioze fizike, si thyerje kockash apo plagë të rënda. Në raste të tjera, ndëshkimi fizik ndaj bashkëshortes apo fëmijëve nga burri ose kryefamiljari nuk trajtohet si vepër penale.
Kodi përcakton se edhe në rastet kur përdoret “forcë e papërshtatshme” dhe shkaktohen dëmtime të dukshme, dënimi maksimal arrin deri në 15 ditë burg. Për më tepër, ndjekja penale varet nga aftësia e viktimës për të provuar dhunën në gjykatë, gjë që sipas kritikëve e vështirëson ndjeshëm marrjen e drejtësisë.
Ligji përfshin edhe kufizime të tjera për gratë. Atyre u ndalohet të dalin nga shtëpia pa lejen e bashkëshortit ose familjarëve meshkuj, ndërsa mund të ndëshkohen edhe për mënyrën e veshjes në publik. Po ashtu, një grua e martuar që viziton familjen pa lejen e bashkëshortit mund të përballet me deri në tre muaj burg, një dispozitë që ka shkaktuar reagime të forta.
Që prej rikthimit në pushtet, talibanët kanë vendosur sheriatin si bazë të sistemit ligjor në Afganistan, duke vendosur kufizime të ashpra ndaj grave, përfshirë edhe ndalimin e arsimimit në çdo nivel.


















































