Lajme
17-vjeçarja vjedh Land Roverin në Dhërmi, e përplas në përpjekje për t’i shpëtuar policisë
1 Maj, 2026 | 8:05 pm

Policia ka ndërhyrë pas një denoncimi për vjedhjen e një automjeti tip “Land Rover” në zonën e Dhërmiut, duke arritur të lokalizojë dhe ndalojë mjetin brenda një kohe të shkurtër. Gjatë ndërhyrjes, drejtuesja e automjetit nuk iu bind urdhrave të uniformave blu dhe, në përpjekje për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në mjetin e marrë pa leje.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, i akuzuar për “Vjedhje të mbetur në tentativë” në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Ndërkohë, një 17-vjeçare u vu në pranga për “Vjedhje të mbetur në tentativë” në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim prone” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 prillit 2026, kur dy të rinjtë kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht me qëllim për të blerë një “Land Rover” që përdorej nga një qytetar nga Tirana. Duke shfrytëzuar mungesën e pronarit, 17-vjeçarja ka ndezur mjetin dhe është larguar pa autorizim.
Më tej, rezulton se ajo ka bashkëpunuar me 25-vjeçarin, i cili u kap më vonë në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, ndërsa automjeti me të cilin kishin mbërritur në Dhërmi u përplas në zonën e Palasës dhe u braktis.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale të dy automjetet, si atë që u tentua të vidhej, ashtu edhe mjetin e përdorur nga autorët. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



















































