Lajme
Tragjedi në Itali 23 vjeçari shqiptar Hekuran Cumani vritet me thikë pas një sherri në Perugia
18 Tetor, 2025 | 9:44 pm

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Perugia të Italisë, ku është vrarë me thikë 23-vjeçari me origjinë shqiptare, Hekuran Cumani raporton Tgcom.it. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së shtunës, në një prej parkimeve të Universitetit të Perugias.
Sipas mediave italiane, Prokuroria ka hapur hetimet për vrasje, duke e cilësuar ngjarjen si epilog tragjik të një sherri për motive të dobëta. Viktima është goditur me thikë në qafë, plagë që i mori jetën menjëherë.
Shërbimi i urgjencës 118 mbërriti në vendngjarje, por mjekët mundën vetëm të konstatonin vdekjen e të riut, pasi ai kishte ndërruar jetë para mbërritjes së tyre.
Fillimisht u raportua se plagosja ishte në zonën e gjoksit, por më pas hetimet konfirmuan se goditja fatale ishte në qafë. Bazuar në dëshmitë e personave të pranishëm, rezulton se agresori është një person ende i panjohur, i cili e ka goditur të riun gjatë një sherri të çastit.
Prokuroria e Perugias po vijon hetimet, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Trupi i të ndjerit pritet t’i nënshtrohet autopsisë.


















































