Lajme
Terror në mes të Tiranës/ Biznesmeni tenton të grabisë bankën me armë zjarri: Jam zhytur në borxhe!
12 Shkurt, 2026 | 1:59 pm

Një tentativë grabitjeje me armë zjarri ka tronditur paraditen e kësaj të enjteje kryeqytetin. Një person i armatosur me kallashnikov ka hyrë në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, duke shkaktuar panik mes punonjësve dhe klientëve që ndodheshin brenda ambienteve.
Sipas informacioneve paraprake, autori ka qëlluar një herë në tokë me qëllim frikësimin e stafit, duke kërkuar dorëzimin e parave. Të shtënat kanë alarmuar menjëherë punonjësit, të cilët kanë njoftuar policinë.

Brenda pak minutash në vendngjarje ka mbërritur patrulla e Komisariatit Nr. 2, e cila ka ndërhyrë duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit dhe sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov.
Burime bëjnë me dije se i arrestuari është Bardhyl Fusha, me origjinë nga Librazhdi dhe banues në Tiranë. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa situata është vënë nën kontroll të plotë nga uniformat blu.



58-vjeçari Bardhyl Fusha është një sipërmarrës në fushën e ndërtimit, ndërsa ka qenë i proceduar disa herë pas denoncimeve nga klientët për mosshlyerje pagesash.
“Kam borxhe, ndaj hyra në bankë se më duheshin lekët,” u shpreh Fusha.
Mësohet se policët privatë kanë arritur ta neutralizojnë autorin pa arritur të dale nga godina.


















































