Kryefjala Logo

Pas shtrimit në psikiatri Genard Hajdini mbron Sonidën: Më morën motrën

11 Shkurt, 2026 | 12:55 pm

Në një lagje të zakonshme të Tiranës, aty ku pasditet kalojnë mes përshëndetjesh në hyrje pallatesh dhe kafesë së shpejtë te marketi poshtë, jetonin Genardi dhe Sonida Hajdini. Për fqinjët ishin dy njerëz të qetë, që rrinin në punën e tyre. Për rrjetet sociale, ishin personazhet e “gjëra të mira, gjëra të bukura”, batutave spontane dhe “danoçave” që u bënë virale.

Por pas videosh plot buzëqeshje, fshihej një histori shumë më e thellë, e cila sot ka përfunduar në spitalin psikiatrik.

“Ishin njerëz të qetë. Për sa kohë ishte gjallë babai, ai kujdesej për ta, ua siguronte ilaçet me orar. Ka pasur raste që Genardi dilte nëpër shkallë me veshje të papërshtatshme, por Sonida ka qenë gjithmonë shumë e qetë, në botën e saj. Madje deri vonë ka dhënë mësim online. Ka qenë shumë e zonja”, tregon një banor i pallatit.

Një tjetër fqinj kujton ditën kur ndërhynë shërbimet: “Kur erdhën për të marrë Sonidën, Genardi ishte te marketi duke blerë, si zakonisht merrte kafe të ftohtë në kanaçe. Kur mori vesh çfarë po ndodhte, bërtiti ‘Ma morën motrën!’ dhe vrapoi drejt ambulancës. Sonida nuk kishte zbritur ende. U ngjit lart dhe më pas i zbritën të dy. Sonidën e mori ambulanca, Genardin policia.”

Banorët theksojnë se interesi për ta nuk ka munguar kurrë. “Kur kishin vështirësi, shumë veta vinin të pyesnin. U kanë sjellë edhe ushqime. Kanë qenë njerëz të mirë, me hallet e tyre. Nuk i bënin keq askujt. Na erdhi shumë keq që përfunduan në psikiatri”, shprehet një zonjë e lagjes.

Rrënjët e historisë së tyre shkojnë në fund të viteve ’90, në një periudhë të trazuar për vendin. Nëna e tyre humbi jetën tragjikisht nga një plumb qorr teksa ndodhej në ballkon. Ishin ende fëmijë. Sipas atyre që i njohin, ajo humbje la gjurmë të thella në jetën e tyre.

Megjithatë, Genardi dhe Sonida spikatën në shkollë, u larguan drejt Shteteve të Bashkuara dhe u vlerësuan për arritjet akademike studime në biokimi, filozofi, gjuhë të huaja dhe disa mastera. Më vonë u kthyen në Shqipëri dhe jetonin bashkë, në një rutinë të thjeshtë mes pazarit, gatimit, librave dhe videove në Instagram.

Motoja e tyre “gjëra të mira, gjëra të bukura” u kthye në fenomen. Publiku i pëlqente për sinqeritetin dhe natyrshmërinë, por fama online nuk mbyll plagët e vjetra. Pak muaj më parë humbën edhe babain, mbështetjen e tyre kryesore sipas fqinjëve, një tjetër goditje e fortë.

Disa ditë më parë, Genardi publikoi në rrjet pamje të motrës në një gjendje të rënduar. Videoja u përhap me shpejtësi. Pas kësaj ndërhynë shërbimet sociale, stafi mjekësor dhe policia. Sipas verifikimeve zyrtare, nuk u konstatuan elemente dhune, ndërsa u sqarua se publikimi ishte bërë për të tërhequr vëmendje në rrjetet sociale. Pamjet u fshinë menjëherë.

Aktualisht, të dy ndodhen të shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës, ku po marrin trajtim të specializuar. Rasti është referuar në prokurori dhe institucionet sociale kanë nisur hartimin e një plani monitorimi dhe mbështetjeje.

Nga një fenomen që na bënte të buzëqeshnim në ekranin e telefonit, historia e tyre sot na përball me një realitet të brishtë që kërkon ndihmë profesionale dhe empati.

Sepse trauma e pashëruar nuk zhduket me kalimin e viteve. Rrjetet sociale nuk tregojnë gjithmonë të gjithë të vërtetën. Pas çdo “story” mund të fshihet një histori që ka nevojë për mbështetje më shumë sesa për klikime.

Në atë lagje sot mbizotëron heshtja. Por mesazhi është i qartë, empatia dhe ndërhyrja në kohë mund të bëjnë diferencën, sidomos kur dikush nuk arrin ta kërkojë vetë ndihmën.

 

Të ngjashme