Lajme
Masakër në një shkollë në Kanada: 10 të vdekur dhe 27 të plagosur, autore dyshohet një grua
11 Shkurt, 2026 | 10:45 am

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi me armë zjarri që ndodhi në Kanada. Ngjarja e rëndë u regjistrua në qytetin Tumbler Ridge, në provincën e British Columbia, rrëzë Maleve Shkëmbore.
Sipas mediave kanadeze, të paktën shtatë persona u vranë brenda një shkolle të mesme, përpara se personi i dyshuar si autor t’i jepte fund jetës. Dyshohet se autorja ishte një grua.
Mes viktimave është edhe një grua që, sipas policisë, mund të jetë përgjegjëse për masakrën. Ndërkohë, dy persona të tjerë u gjetën të pajetë në një banesë pranë shkollës dhe hetuesit besojnë se kjo ngjarje është e lidhur me sulmin në ambientet shkollore.
Policia ka bërë të ditur se në shkollë janë gjetur të vdekur shtatë persona, përfshirë edhe të dyshuarën që mendohet se është vetëvrarë. Një tjetër viktimë ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Sipas raportimeve, sulmi ka nisur rreth orës 13:30 me orën lokale, kur në shkollë është dhënë alarmi dhe nxënësit janë udhëzuar të mbyllin menjëherë dyert. Disa prej tyre kanë treguar se janë barrikaduar brenda klasave duke vendosur banka dhe karrige pas dyerve, deri në mbërritjen e policisë, e cila thuhet se ka arritur pak minuta më vonë.
Ende nuk dihet lloji i armës së përdorur, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e kësaj tragjedie që ka tronditur mbarë vendin.


















































