Lajme
Masakër në një shkollë në Kanada, 10 të vdekur/ Autorja i jep fund jetës, motivi ende mister
11 Shkurt, 2026 | 10:34 am

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kanadanë pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë të mesme në qytetin e vogël Tumbler Ridge.
Sipas mediave ndërkombëtare, një grua ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka hapur zjarr, duke lënë pas 10 viktima, përfshirë edhe veten. Autorja dyshohet se i ka dhënë fund jetës pas sulmit. Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe dhjetëra persona të tjerë, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në British Columbia, ndërsa forca të shumta policie dhe emergjencash kanë rrethuar menjëherë zonën. Autoritetet kanë konfirmuar se motivi i sulmit mbetet ende i paqartë dhe hetimet janë në vijim.
Komuniteti i vogël i Tumbler Ridge, me rreth 2,400 banorë, është në gjendje shoku. Shkollat në zonë janë mbyllur përkohësisht, ndërsa janë vënë në dispozicion shërbime psikologjike për nxënësit dhe familjarët.
Reagime kanë ardhur edhe nga nivelet më të larta të shtetit. Kryeministri kanadez Mark Carney ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, duke e cilësuar ngjarjen si “një tragjedi të thellë kombëtare”.
Kanadaja njihet si një ndër vendet me nivel të ulët të krimeve me armë, çka e bën këtë sulm edhe më tronditës për opinionin publik. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe arsyet që çuan në këtë akt ekstrem.


















































