Kryefjala Logo

Hidhet në erë makina e gazetarit që kritikoi Edi Ramën dhe intervistoi Arben Ahmetajn

17 Tetor, 2025 | 4:43 pm

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme Italinë. Rreth orës 22:00 në Campo Ascolano –një zonë mes Romës dhe Pomezias, në jug të kryeqytetit ka ndodhur një shpërthim në makinën e gazetarit të njohur italian të “Rai 3”, Sigfrido Ranucci. Sipas mediave italiane, nën automjetin e tij ishte vendosur një lëndë plasëse që shpërtheu duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Nga shpërthimi u dëmtua edhe makina tjetër e familjes, që zakonisht përdorej nga vajza e gazetarit dhe ishte parkuar aty pak minuta më parë. Edhe banesa e Ranuccit pësoi dëmtime, por fatmirësisht nuk ka viktima apo të plagosur.

Në një deklaratë për Corriere della Sera, Ranucci tha:
“Vajza ime kaloi para makinës sime disa minuta para shpërthimit… Ata mund ta kishin vrarë.”
Gazetari shtoi se ngjarja mund të ketë lidhje me hetimet e reja që do të transmetohen së shpejti në programin “Report”, të cilin ai e drejton prej vitesh në Rai 3. “Mund të mos jetë rastësi që disa ditë më parë shpalla temat e hetimeve të reja,” theksoi ai.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje mbërritën karabinierët, zjarrfikësit, njësitë speciale DIGOS dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët po hetojnë ngjarjen.
Në rrjetet sociale, programi “Report” publikoi njoftimin zyrtar:
“Një pajisje shpërthyese u vendos nën makinën e gazetarit dhe prezantuesit tonë, Sigfrido Ranucci. Makina shpërtheu, duke dëmtuar edhe makinën tjetër të familjes dhe shtëpinë. Prokuroria ka nisur hetimet dhe është njoftuar Prefekti. Fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe sa mund të kishte vrarë këdo që kalonte në atë moment.”
Kujtojmë se Ranucci ka realizuar disa reportazhe investigative mbi Shqipërinë, ku ka trajtuar çështje të ndjeshme që lidhen me qeverinë e Edi Ramës dhe lidhjet e saj me krimin e organizuar. Në një prej dokumentarëve të “Report”, gazetari solli edhe dëshmi nga ish-zv.kryeministri në kërkim, Arben Ahmetaj, duke akuzuar kryeministrin shqiptar për bashkëpunim me rrjete kriminale.
Këto investigime sollën përplasje të forta mes kryeministrit Rama dhe Ranuccit. Pas transmetimit të materialit, Rama reagoi ashpër:

“RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative. Ishte baltë e prodhuar në Tiranë dhe e eksportuar në Itali, një sulm mbi nderin dhe flamurin tonë kombëtar.”
Ndërkohë, “Report” ka theksuar se programi i tyre është bazuar në dokumente institucionale italiane dhe shqiptare, duke dhënë zë përfaqësuesve të rëndësishëm institucionalë, përfshirë edhe vetë Ahmetajn. “Ne kemi punuar me prova konkrete dhe burime zyrtare,” u shpreh Ranucci në një prononcim të mëparshëm.

39c6ea85 40f7 47bf 8b28 d87506e9881a

Të ngjashme