Lajme
Fatos Nano prej ditësh i shtruar në Hygeia. Ndodhet në terapi intensive dhe në gjendje të rëndë për jetën.
20 Tetor, 2025 | 5:37 pm

Prej disa ditësh, ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ndodhet i shtruar në spitalin “Hygeia” në Tiranë, pas problemeve serioze shëndetësore.
Sipas burimeve pranë mjekëve, Nano, 73 vjeç, është në gjendje të rëndë pas një arresti kardiorepirator, ndërsa ndodhet nën kujdesin intensiv të stafit mjekësor që prej 8 tetorit.
Burime pranë familjes konfirmojnë se lideri historik i Partisë Socialiste ka pasur probleme kronike me mushkëritë, të lidhura me sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK), për të cilën është trajtuar disa herë gjatë viteve të fundit.
Fatos Nano, një nga figurat më të njohura të tranzicionit politik shqiptar, ka qenë kryetar i Partisë Socialiste që nga viti 1991 deri në vitin 2005, dhe ka mbajtur disa herë postin e Kryeministrit të Shqipërisë.
Pas largimit nga politika aktive në vitin 2005, Nano ka preferuar të qëndrojë jashtë vëmendjes publike, duke u shfaqur rrallë në media.
Aktualisht, mjekët e “Hygeia”-s po bëjnë të pamundurën për stabilizimin e gjendjes së tij, ndërsa familjarët kërkojnë privatësi dhe qetësi në këtë moment të ndjeshëm.


















































