Lajme
Drejtësia liron nga qelia drejtorin 5D të Erion Veliajt. Redi Mollën vuan nga zemra. Gati të inaugurojë hotelin miliona euro tek Vollga
12 Tetor, 2025 | 10:10 pm

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës dhe të grupit “5D”, Redi Molla, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Vendimi është marrë për arsye shëndetësore, pasi Molla raportohet se vuan nga probleme kardiake dhe prej muajit korrik po i nënshtrohet trajtimit mjekësor. Kështu raporton portali Jeta Osh Qejf (JOQ)
Sipas burimeve pranë drejtësisë, ky vendim vjen në një kohë kur projektet familjare të Mollës janë drejt përfundimit. Hoteli me pesë yje në zonën e Vollgës në Durrës, që i përket babait të tij 73-vjeçar, Selim Molla, pritet të inaugurohet së shpejti.
Më pas JOQ raporton se : Selim Molla ka përfituar statusin e “investitorit strategjik” për ndërtimin e këtij hoteli luksoz, ndonëse kompania e tij “Restur” ka një kapital simbolik prej vetëm 100 lekësh dhe nuk rezulton të ketë eksperiencë të mëparshme në fushën e turizmit apo hotelerisë. Po ashtu, nuk janë publikuar regjistra financiarë që dëshmojnë aktivitetin e saj ekonomik në ndonjë sektor tjetër.
Përmes kësaj kompanie, Molla ka blerë 24% të aksioneve të “Mediterranean Investment Group”, që do të menaxhojë ndërtimin e hotelit “Crowne Plaza Durrës”, një projekt me vlerë që i kalon 20 milionë eurot. Vetëm pjesa e aksioneve të tij kap vlerën e mbi 200 mijë eurove.
Redi Molla u arrestua si pjesë e hetimeve për dosjen e njohur si “5D”, që lidhet me një skemë të dyshuar korrupsioni në Bashkinë e Tiranës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dhe disa zyrtarë të tjerë akuzohen se kanë përfituar tendera publikë nëpërmjet kompanive të regjistruara në emër të të afërmve të tyre.



















































