Kryefjala Logo

Arratisje si në filma! 23-vjeçari shqiptar kapërcen murin e burgut të Brindisit, por tradhtohet nga një gabim

19 Qershor, 2026 | 1:01 pm

Një 23-vjeçar shqiptar ka tentuar një arratisje spektakolare nga burgu i Brindisit në Itali gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, por liria e tij zgjati vetëm pak orë.

Sipas mediave italiane dhe sindikatës së policisë penitenciare SAPPE, i riu arriti t’i shpëtonte mbikëqyrjes së gardianëve, duke kapërcyer murin dhe gardhin rrethues të institucionit të vuajtjes së dënimit.

Pas alarmit të ngritur menjëherë nga autoritetet, nisi një operacion i gjerë kërkimi ku u angazhuan policia e burgjeve, karabinierët dhe forcat e tjera të rendit. Pas disa orësh ndjekjeje, 23-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në zonën e Latianos, në provincën e Brindisit.

Sipas raportimeve, një nga gabimet që çoi në kapjen e tij ishte rikthimi në zonën ku kishte jetuar para arrestimit. Autoritetet kontrolluan ndër vendet e para banesën dhe zonat ku ai kishte lidhje familjare e shoqërore.

I riu po vuante një dënim për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe për rezistencë ndaj arrestimit. Burime italiane bëjnë me dije se ai u gjet pranë Latianos, zonë ku jeton edhe e dashura e tij.

Ndërkohë, sindikata SAPPE ka ngritur shqetësime për mungesën e personelit në burgun e Brindisit, duke pretenduar se numri i efektivëve është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë e qindra të burgosurve. Sipas tyre, kjo situatë mund të ketë ndikuar në realizimin e arratisjes.

Të ngjashme