Lajme
Vdekja e Massimo Ferro pas operacionit për zvogëlimin e stomakut, reagon Trita Hospital me deklaratë zyrtare: Protokollet mjeksore të gjitha korrekte
12 Shkurt, 2026 | 1:47 pm

Spitali privat Trita Hospital ka reaguar zyrtarisht lidhur me ndarjen nga jeta të shtetasit italian Massimo Ferro, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut (kirurgji bariatrike) në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Në deklaratën e publikuar më 12 shkurt 2026, spitali bën me dije se ndërhyrja është kryer në përputhje të plotë me të gjitha protokollet dhe standardet mjekësore në fuqi. Sipas tyre, pacienti kishte marrë më herët miratimin për kryerjen e procedurës edhe nga dietologia e tij në Itali, e cila e kishte ndjekur prej kohësh.
Sipas njoftimit, katër ditë pas operacionit, për shkak të çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti është referuar për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor ka reaguar menjëherë pas shfaqjes së komplikacioneve të para, duke ndërmarrë të gjitha veprimet sipas praktikës klinike.
Pacienti është monitoruar më pas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, Massimo Ferro ka pësuar arrest kardiak në ditën e pestë pas ndërhyrjes dhe ka ndërruar jetë në mbrëmjen e 22 dhjetorit.
Trita Hospital thekson se menjëherë pas ngjarjes ka kryer verifikimin e plotë të protokolleve të ndjekura për këtë rast, duke konstatuar se nga ana e stafit mjekësor janë respektuar me përpikmëri të gjitha procedurat përkatëse. Ndërkohë, kartela mjekësore e pacientit është sekuestruar nga autoritetet shtetërore, të cilat kanë nisur veprimet procedurale të parashikuara nga ligji.
Sa i përket pretendimeve për heqje organesh, spitali sqaron se trupi i të ndjerit është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë dhe se organet ndodhen në këtë institucion, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe procedurat ligjore në fuqi.
Në fund të deklaratës, Trita Hospital shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ferro dhe kërkon që me maturi të priten rezultatet e autopsisë dhe përfundimi i procedurave ligjore, të cilat do të përcaktojnë shkakun e kësaj humbjeje të rëndë.



















































