Lajme
Video! Akuzohet nëna se braktisi tre fëmijet: Foto është në Berat jo në Dubai. Montazh me ‘CHAT GPT’
12 Janar, 2026 | 6:16 pm

Një denoncim i bërë nga një gjyshe në qytetin e Durrësit ka vënë në lëvizje policinë dhe shërbimet sociale, pas dyshimeve se tre fëmijë të mitur janë lënë pa kujdes nga nëna e tyre. Sipas kallëzimit, ish-nusja e saj kishte braktisur fëmijët në apartamentin ku jetonin, duke i lënë të vetëm për 3 ditë.
Gjatë ndërhyrjes së autoriteteve, fëmijët janë gjetur pa praninë e asnjë të rrituri, në kushte çnjerëzore, të papërshtatshme higjienike dhe pa ushqim. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit për kontroll mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar se të tre vuanin nga zgjebja. Burime bëjnë me dije se fëmijët nuk kishin shkuar në shkollë prej rreth një muaji.
Nëna 33-vjeçare u shoqërua për t’u marrë në pyetje dhe aktualisht ndodhet pranë fëmijëve në ambientet e spitalit. Ajo ka mohuar kategorikisht akuzat për braktisje, duke deklaruar se situata është keqinterpretuar dhe lidhet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe konflikte familjare të hershme me ish-vjehrrën.
Sipas saj, ajo punon si banakiere dhe përfiton rreth 400 mijë lekë në muaj, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për pagesën e qirasë. Në këto kushte, ajo shprehet se shpesh është e detyruar t’i lërë fëmijët së bashku kur shkon në punë. Denoncimin e konsideron një veprim të qëllimshëm nga ish-vjehrra, e cila, sipas pretendimit të saj, ka hyrë pa leje në banesë dhe më pas ka njoftuar policinë.
Nëna ka shtuar se babai i fëmijëve ka qenë i dënuar në Itali për rreth pesë vite dhe aktualisht kontribuon me një shumë minimale për mirëmbajtjen e tyre.
Ndërkohë, në rrjet po qarkullojnë foto të saja në Dubai. E pyetur nga gazetarët, ajo i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se imazhet janë montazh i realizuar me inteligjencë artificiale (ChatGPT), ndërsa fotot reale janë shkrepur në Berat.
Policia dhe shërbimet sociale vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse do të merren masa ligjore për mbrojtjen e të miturve, përfshirë edhe çështjen e kujdestarisë.


















































