Lajme
Roja greke përplas qëllimisht varkën me emigrantë për t’i mbytur në Egje?
24 Nëntor, 2025 | 6:26 am

Ka vite që Greqia bën të njëjtën gjë: Merr jetë njerëzish në det dhe ia hedh pa asnjë pasojë. Dhe nëse dikush do të kishte dyshime pse kjo histori u përsërit sërish, përgjigjja është e kuptueshme: sepse asnjëherë nuk u ndëshkua.
Ngjarja e fundit është treguesi i pastër i kësaj kulture shtetërore. Një anije e rojes bregdetare greke i afrohet një varke të vogël me emigrantë, burra, gra e fëmijë dhe e përplas me qëllim. Këta njerëz nuk kishin armë, nuk kërcënonin askënd, nuk po shkelnin ligje që justifikojnë dhunë fizike.
Ky veprim është i paligjshëm në çdo nivel të së drejtës ndërkombëtare.
Neni 33 i Konventës së Gjenevës ndalon kthimin e refugjatëve drejt rrezikut. Është krim ndërkombëtar. Çdo shtet që e bën mban përgjegjësi të plotë. Dënimi? Padi ndërkombëtare dhe dëmshpërblime që arrijnë qindra mijëra euro për viktimë.
Neni 18 i Kartës së BE-së garanton të drejtën për të kërkuar azil. Greqia, me këtë veprim, ua mohoi këtë të drejtë. BE mund të hapë procedura shkeljeje, të vendosë gjoba milionëshe, të bllokojë fonde. Por nuk e ka bërë. Asnjëherë.
Protokolli 4 i KEDNJ ndalon dëbimet kolektive. Kjo që bën Greqia është fiks kjo: marrje dhe shtyrje e një grupi të tërë njerëzish me dhunë. GJEDNJ parashikon dëmshpërblime me mijëra euro për person. Por Greqia nuk është prekur kurrë, sepse nuk ka dashur askush ta çojë deri në fund.
Neni 98 i UNCLOS detyron çdo anije shtetërore të shpëtojë persona në rrezik. E kundërta e shpëtimit është sulmi. Ajo që u pa në video është shkelje e qartë e këtij neni, që në ligj çon në hetime ndërkombëtare dhe dënime shtetërore. Nuk është marrë asnjë masë.
Konventat SOLAS dhe SAR thonë qartë: shpëtimi i jetëve në det është detyrim absolut. Nëse sjellja e oficerëve shkakton vdekje, ata mund të dënohen deri në 20 vite burg për mosdhënie ndihme.
Neni 3 i KEDNJ ndalon trajtimin çnjerëzor dhe degradues. Kur përplas një barkë me gra e fëmijë, ky është trajtim çnjerëzor. Dënimi? Burgim i rëndë për individët. Por përsëri: zero pasoja.


















































