Kryefjala Logo

Denoncimi: Besi i Gramshit tender 1.3 milionë euro lekë për palestër, ndërtuesit që ndan paratë me Erion Isain

12 Tetor, 2025 | 9:24 pm

Kalimi i Erion Isait në SPAK duket se ka hapur një kapitull të ri në menaxhimin e fondeve publike raporton portali JOQ. Burime për këtë portal nga pranë institucioneve të auditimit lokal tregojnë se një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, biznesmeni Adriatik Zeqillari, vazhdon të përfitojë tendera publikë me vlera të mëdha — këtë herë nga Bashkia e Gramshit, e drejtuar nga Besion Ajazi.

Sipas të dhënave zyrtare, kompania e Zeqillarit ka fituar një tender mbi 1.3 miliardë lekë për ndërtimin e palestrës së shkollës së Gramshit, një projekt që është cilësuar me “Flamur të Kuq” në sistemin e prokurimeve publike për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues, përfshirë ofertën më të ulët në garë.

Ky fakt ka ngritur dyshime mbi mungesën e konkurrencës reale dhe përzgjedhjen e favorizuar të fituesit, në një projekt ku kostoja është konsideruar shumë më e lartë se vlera reale e punimeve.

Një rrjet bashkëpunimesh të përsëritura

Sipas raportimeve, Zeqillari është ndër biznesmenët që ka përfituar më shumë tendera gjatë drejtimit të Erion Isait në Bashkinë e Kolonjës.
Nga mbi 25 tendera publikë të fituar në total nga kompania e tij, rreth 10 janë dhënë nga Bashkia e Kolonjës gjatë mandatit të Isait.
Shpeshherë, këto tendera sipas JOQ janë shoqëruar me mungesë gare reale, pasi operatorët e tjerë janë skualifikuar për arsye teknike ose formale, si mungesa e dokumenteve të inxhinierisë apo pajisjeve ndërtimore.
Hetimet paraprake kanë evidentuar se shumat e përfituara nga këta tendera tejkalojnë dukshëm të ardhurat personale të kryebashkiakut Erion Isai, ndërsa përqendrimi i kontratave tek një kompani e vetme ngre dyshime për një skemë klienteliste të mirëorganizuar në nivel lokal.

Tenderi i ri në Gramsh, historia përsëritet

Një tjetër rast i ngjashëm është regjistruar më 10 nëntor 2023, kur Erion Isai firmosi një tender me vlerë rreth 500 mijë euro për kompaninë e Zeqillarit, për ndërtimin e palestrës së kompleksit “Shkolla Qendër Komunitare” në Ersekë, që përfshinte shkollat “Petro Nini Luarasi” dhe “Papa Kristo Negovani”.

Sot, një projekt pothuaj identik në Bashkinë e Gramshit i është dhënë të njëjtit biznesmen — këtë herë me vlerë trefish më të lartë, nën drejtimin e Besion Ajazit.

Ky zhvillim ka rritur dyshimet për bashkëpunim të vazhdueshëm midis drejtuesve lokalë, që duket se po kanalizojnë fondet publike përmes një grupi të vogël kompanish të preferuara.

Deri më tani, asnjë prej institucioneve përkatëse nuk ka reaguar zyrtarisht mbi tenderin e fundit, ndërsa pritet që çështja të tërheqë vëmendjen e organeve të hetimit për vlerësimin e mundshëm të shkeljeve të ligjit për prokurimet publike.

12e2e085 58c7 441e a5f2 1b415e0e509b1f1da609 c294 4e77 be98 edbed157e837

Të ngjashme