Lajme
Viti i ri nis i përgjakur! Aksidenti u merr jetën 3 të rinjve, 20-vjeçarja në gjendje të rëndë
1 Janar, 2026 | 12:18 pm

Një aksident i rëndë është shënuar në orët e para të këtij viti të ri. Dy automjete me të rinj janë përplasur në aksin Ura e Leklit në Tepelënë, në vendin e quajtur Bypass.
Fatkeqësisht si pasojë e kësaj përplasje fatale kanë humbur jetën tre të rinj, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur dy të tjerë. Burime për mediat bëjnë me dije se shtetasit Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruci 28 vjeç dhe Martin Dulaj, 26 vjeç nuk kanë arritur që të mbijetojnë, ndërkohë që njëra prej të plagosurave është identifikuar si Arsida Demiri, 20 vjeçe dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Nga informacionet paraprake mësohet se Myftari dhe Ruçi ndodheshin në automjetin tip Volkswagen me targa AB797VP, ndërsa Dulaj dhe dy të plagosurat e tjera udhëtonin me mjetin tip Mercedes Benz me targa AB552LV.
Njoftimi:
Rreth orës 03:18, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.


















































