Kryefjala Logo

Vera dhe rrezet UV, çfarë duhet të dini për të mbrojtur lëkurën

3 Korrik, 2026 | 9:21 am

Me rritjen e temperaturave gjatë verës, ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet (UV) bëhet më intensiv, duke rritur rrezikun për djegie nga dielli, plakje të parakohshme të lëkurës dhe, në raste afatgjata, edhe për zhvillimin e kancerit të lëkurës.

Megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë të besojnë mite të përhapura në rrjetet sociale dhe shpesh neglizhojnë masat bazë të mbrojtjes.

Për këtë temë ka folur dermatologia Dr. Elmiola Janushaj, e cila thekson se mbrojtja nga dielli nuk duhet të kufizohet vetëm gjatë pushimeve apo ditëve në plazh.

“Rrezatimi ultraviolet është i pranishëm gjatë gjithë vitit. Kremi me faktor mbrojtës (SPF) duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme dhe të riaplikohet çdo dy orë gjatë ekspozimit në diell, sidomos pas notit ose djersitjes”, shpjegon ajo.

Sipas dermatologes, një tjetër keqkuptim i zakonshëm është mendimi se personat me lëkurë më të errët nuk kanë nevojë për krem mbrojtës. Edhe pse melanina ofron një nivel të caktuar mbrojtjeje natyrale, ajo nuk mjafton për të parandaluar dëmtimet e shkaktuara nga rrezet UV.

Dr. Janushaj nënvizon gjithashtu se nuk ekziston një “nxirje e shëndetshme”, pasi nxirja është reagim i lëkurës ndaj dëmtimit të shkaktuar nga rrezatimi ultraviolet.

Kujdes i veçantë duhet treguar edhe për fëmijët, pasi lëkura e tyre është më e ndjeshme. Për ta rekomandohen kremra të testuar dermatologjikisht me filtra fizikë, si dhe shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut.

Ekspertja këshillon gjithashtu që çdo ndryshim në nishane, si ndryshimi i ngjyrës, formës apo gjakosja, të mos neglizhohet. Kontrolli periodik te dermatologu dhe dermatoskopia janë të rëndësishme për zbulimin e hershëm të lezioneve të dyshimta.

Sipas saj, tre rregullat më të rëndësishme për një verë të sigurt janë: përdorimi i përditshëm i kremit me SPF, shmangia e diellit në orët me rrezatim maksimal dhe kontrolli i rregullt i lëkurës dhe nishaneve.

Të ngjashme