Kryefjala Logo

Miti i dietës sipas grupit të gjakut, a ndikon vërtet grupi 0 te konsumimi i kafesë?

3 Korrik, 2026 | 9:12 am

Dieta sipas grupit të gjakut, e bërë e njohur në vitin 1996 nga Dr. Peter D’Adamo, pretendon se personat me grup gjaku 0 duhet të shmangin konsumimin e kafesë.

Kjo teori mbështetet në idenë se grupet e gjakut janë zhvilluar në periudha të ndryshme të evolucionit njerëzor dhe, për këtë arsye, secili grup duhet të ndjekë një regjim të veçantë ushqimor.

Sipas kësaj diete, grupi i gjakut 0 konsiderohet më i lashti dhe lidhet me gjuetarët, ndaj rekomandohet një dietë e pasur me proteina shtazore, ndërsa kafeja, birra dhe disa pije të tjera këshillohet të shmangen.

Për personat me grup gjaku 0, dieta sugjeron të mos konsumojnë kafe, birrë, çaj të zi dhe pije alkoolike të distiluara. Në vend të tyre rekomandohen lëngje frutash si ato të qershisë, mangos dhe guavas.

Ndërkohë, personave me grup gjaku AB u këshillohet të kufizojnë kafeinën, alkoolin dhe disa lëngje frutash, ndërsa grupet A dhe B kanë më pak kufizime, por gjithsesi nuk përjashtohen nga rekomandime specifike.

Dieta sipas grupeve të gjakut i klasifikon ushqimet në të dobishme, neutrale dhe të dëmshme për secilin grup gjaku, duke ofruar gjithashtu udhëzime për aktivitetin fizik dhe pijet që rekomandohen.

Megjithatë, problemi kryesor është se kjo teori nuk mbështetet nga prova të forta shkencore. Një studim i publikuar në vitin 2014 në revistën PLoS One, ku morën pjesë mbi 1,400 persona, analizoi ndikimin e kësaj diete në shëndet.

Studiuesit zbuluan se njerëzit që ndiqnin një regjim më të shëndetshëm kishin përmirësime në treguesit e shëndetit, por këto përfitime nuk kishin lidhje me grupin e gjakut. Rezultatet ishin të ngjashme për personat me grupet O, A, B dhe AB.

Kjo do të thotë se përmirësimi i shëndetit lidhet më shumë me zakonet e mira ushqimore, si konsumimi i më shumë frutave dhe perimeve dhe reduktimi i alkoolit, sesa me grupin e gjakut.

Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se nuk ka prova që personat me grup gjaku 0 duhet të heqin dorë nga kafeja vetëm për shkak të grupit të tyre të gjakut. Për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, konsumimi i moderuar i kafesë deri në tre ose katër filxhanë në ditë lidhet me disa përfitime shëndetësore.

Megjithatë, nëse kafeja shkakton pagjumësi, rritje të tensionit të gjakut apo shqetësime në stomak, kufizimi i saj mund të jetë i nevojshëm. Personat me hipertension, diabet ose sëmundje të zemrës duhet të këshillohen me mjekun për sasinë e kafeinës që mund të konsumojnë, bazuar në gjendjen e tyre shëndetësore dhe jo vetëm në grupin e gjakut.

Të ngjashme