Lajme
Turqi/ Jahti luksoz me vlerë 800,000 euro fundoset pak minuta pasi u nis, pasagjerët hidhen në det
3 Shtator, 2025 | 5:20 pm

Një incident ka ndodhur ditën e sotme në brigjet e qytetit Zonguldak në Turqinë veriore, kur një jaht i ri luksoz me vlerë 800,000 euro u mbyt në det sapo ishte nisiur. Jahti luksoz i quajtur “Dolce Vento” me gjatësi 24-30 metra, sapo kishte përfunduar ndërtimin e tij në kantierin detar Med Yilmaz dhe ishte gati për udhëtimin e tij të parë në det.
Siç shihet në video, dalja në det e anijes ndodhi pa probleme, megjithatë, vetëm 15 minuta më vonë ndodhi katastrofa. Pas kontaktit të parë me ujin e detit, anija filloi të humbiste ekuilibrin dhe të anohej në mënyrë të rrezikshme, duke rezultuar në përmbysje dhe duke shkaktuar panik tek pasagjerët.
Njëri nga pasagjerët shihet duke u ngjitur në jahtin gjysmë të fundosur dhe duke u hedhur në det për të shpëtuar veten, ndërsa pjesa tjetër arriti të notonte deri në breg pa lëndime.
Roja Bregdetare Turke dhe shërbime të tjera shpëtimi iu përgjigjën menjëherë incidentit dhe ndërmorën veprimet e nevojshme për të shmangur rreziqet e mëtejshme. Ekipet e shpëtimit janë dërguar tashmë për të filluar operacionet e ngritjes, ndërsa autoritetet e kantierit detar njoftuan se do të kryhet një hetim për të përcaktuar shkaqet e fundosjes. Sipas ekspertëve, problemet e stabilitetit të anijes mund të lidhen me gabime në llogaritjen e lartësisë së saj metacentrike, një shkak i shpeshtë i fatkeqësive të tilla.


















































