Lajme
Plagosje me thikë në një shkollë 9-vjeçare në Sarandë, fenomeni i dhunës mes të miturve në alarm
17 Dhjetor, 2025 | 2:11 pm

Një tjetër sherr mes nxënësve të një shkolle 9-vjeçare është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në Sarandë, duke rikthyer shqetësimin për dhunën në ambientet shkollore.
Sipas policisë, rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr.3, gjatë një konflikti për motive të dobëta, një nxënës 13-vjeçar dyshohet se ka goditur me mjet prerës një të mitur 15-vjeç. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime bëjnë me dije se sherri ka nisur për një arsye fare banale, pas një debati verbal me fjalët: “pse të kalosh ti i pari dhe jo unë”. Konflikti ka eskaluar brenda pak çastesh, ku 13-vjeçari ka nxjerrë thikë dhe ka goditur 15-vjeçarin në pjesën e qafës.
Policia njofton se po vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar, i cili ende nuk është kapur, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
DHUNA MES TË MITURVE, NJË FENOMEN NË RRITJE
Ngjarja e sotme në Sarandë nuk është e izoluar. Përleshjet mes të miturve, të cilat nisin për arsye minimale, po përfundojnë gjithnjë e më shpesh në përdorim thikash, duke kthyer shkollat dhe ambientet përreth tyre në zona rreziku.
Ekspertët e sigurisë dhe psikologët theksojnë se dhuna mes adoleshentëve po ushqehet nga disa faktorë: mungesa e kontrollit, ndikimi i rrjeteve sociale, normalizimi i agresivitetit dhe dështimi i hershëm për të ndërhyrë në konfliktet e vogla.
RASTE QË KANË TRONDITUR OPINIONIN PUBLIK
Vetëm muajt e fundit, Shqipëria është përballur me disa ngjarje tragjike që përfshijnë të mitur:
• Më 18 nëntor 2024, 14-vjeçari Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
• Në gusht, në fshatin Pirg të Maliqit, 14-vjeçari Erald Xhejo humbi jetën pasi u godit me thikë.
• Pak ditë më parë, 15-vjeçari Erion Boba u vra pas një konflikti të nisur në rrjetin social TikTok.
• Në Shkodër, pak ditë më parë para shkollës “Shejnaze Juka”, një sherr mes rreth 20 adoleshentëve degjeneroi në përdorim thikash, duke lënë tre të plagosur.
NJË ALARM QË NUK MUND TË INJOROHET
Nga Saranda në Shkodër, nga Durrësi në Maliq, skenari po përsëritet: konflikte banale, dhunë ekstreme dhe fëmijë që përfundojnë në spital ose humbin jetën.
Ngjarja e sotme është një tjetër sinjal i fortë alarmi se dhuna mes të miturve ka dalë jashtë kontrollit. Ndërhyrja e familjeve, shkollave dhe institucioneve nuk mund të vonojë më, pasi çdo ditë pa reagim rrezikon të sjellë një tjetër tragjedi.


















































