Kryefjala Logo

Grabitje e pazakontë në Sarandë, zhduket kambana e manastirit të shpallur monument kulture

19 Dhjetor, 2025 | 6:43 pm

Një ngjarje e rrallë dhe shqetësuese është regjistruar në Sarandë, ku është vjedhur kambana e manastirit “Shën Gjergji”, një objekt i shpallur monument kulture. Zhdukja e kambanës është konstatuar dy ditë më parë nga kujdestari i manastirit, David Dulaj.

Sipas tij, kambana ka një rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore për manastirin dhe komunitetin, ndërsa u ka bërë thirrje personave përgjegjës që ta rikthejnë atë në vendin e saj. Ai theksoi se përveç pasojave ligjore, një veprim i tillë nuk mund të mbetet pa ndëshkim moral dhe shpirtëror.

Manastiri i “Shën Gjergjit” ndodhet në një kodër pranë aksit rrugor Sarandë–Ksamil dhe është një nga objektet më të vjetra të zonës. Ai mendohet të jetë rreth 250 vjeç dhe është ndërtuar mbi themelet e Murit antik të Demës, duke e bërë një pasuri me vlerë të rrallë historike dhe kulturore.

Ngjarja ka ngritur shqetësim për sigurinë e monumenteve të kulturës në zonë, ndërsa pritet që autoritetet të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Të ngjashme