Kryefjala Logo

Era e fortë rrëzon Statujën e Lirisë në Brazil, shembet para syve të qytetarëve

16 Dhjetor, 2025 | 2:29 pm

Një erë e fuqishme ka shkaktuar rrëzimin e një replike 24 metra të lartë të Statujës së Lirisë në jug të Brazilit. Ngjarja u regjistrua më 15 dhjetor në qytetin Guaíba, pranë Porto Alegre, pjesë e rajonit metropolitian të shtetit Rio Grande do Sul.

Fatmirësisht, sipas autoriteteve lokale dhe kompanisë pronare, nuk raportohet për persona të lënduar.

Para incidentit, shërbimi lokal i Mbrojtjes Civile kishte shpallur nivel të kuq rreziku, duke paralajmëruar për erëra shumë të forta. Banorët ishin këshilluar të qëndronin në shtëpi, të shkëputnin pajisjet elektrike dhe të siguronin dyert dhe dritaret.

Replika e Statujës së Lirisë, e ngjashme me monumentin ikonë të New York-ut, ishte në pronësi të rrjetit të dyqaneve Havan dhe ndodhej në parkingun e një prej dyqaneve të saj. Kompania konfirmoi se në momentin e rrëzimit, parkingu ishte pothuajse bosh, çka shmangu pasoja më të rënda.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente paniku, ku shoferë përpiqen të largojnë automjetet e parkuara pranë statujës ndërsa struktura shembet.

Në një deklaratë zyrtare, kompania Havan bëri të ditur se të gjitha statujat e saj janë të pajisura me anotacion ART për përgjegjësi teknike, ndërsa kjo strukturë ishte vendosur në Guaíba që nga hapja e dyqanit në vitin 2020. Kompania thekson se siguria e klientëve, punonjësve dhe komunitetit mbetet prioritet absolut.

Të ngjashme