Aksident tragjik në Tiranë! Betonierja bie nga rrethrrotullimi pas përplasjes me një automjet
22 Korrik, 2026 | 6:06 pm
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në zonën e rrethrrotullimit të TEG-ut, ku një kamion pompë betoni është përplasur me një automjet dhe më pas ka përfunduar në nivelin e poshtëm të aksit TEG–Elbasan.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20. Pas përplasjes me automjetin, kamioni ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në rrugën poshtë tij, në drejtim të Elbasanit.
Si pasojë e aksidentit, njëri prej dy personave që ndodheshin në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia bën me dije se dy personat që udhëtonin në kamion janë ende të paidentifikuar. Autoritetet po punojnë gjithashtu për të përcaktuar nëse personi që dyshohet se ka humbur jetën ishte drejtuesi i kamionit apo pasagjeri.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, 28-vjeçari me iniciale R. N., është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme për të përcaktuar dinamikën dhe shkakun e aksidentit të rëndë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet. Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit. Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.