Kryefjala Logo

Paradoksi shqiptar/ “Mjeshtri i Madh” çon iso-polifoninë në Hollywood, në Vlorë pastron rrugët

19 Korrik, 2026 | 10:19 am

Emri i Vendim Kapajt, artistit të njohur dhe të vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas përfshirjes së interpretimit të tij të iso-polifonisë shqiptare në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.

Kapaj, kompozitor dhe instrumentist me një karrierë afro pesëdekadëshe në muzikën shqiptare, njihet veçanërisht për mjeshtërinë e tij në interpretimin e fyellit me dhëmbë dhe culës dyjare.

Regjistrimet për kolonën zanore të filmit u zhvilluan në Vlorë, në ambientet e Teqesë së Kuzum Babait, ku artisti shqiptar interpretoi për disa orë. Në procesin e regjistrimit ishte i pranishëm edhe kompozitori i njohur Ludwig Göransson.

Përfshirja e tingujve të iso-polifonisë shqiptare në një produksion të përmasave të Hollywood-it është konsideruar një arritje e rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë sonë kulturore.

Por pas këtij suksesi fshihet një realitet krejt tjetër. Pavarësisht kontributit të gjatë në muzikën tradicionale dhe vlerësimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, Vendim Kapaj thotë se për të siguruar të ardhura për familjen është detyruar të punojë jashtë profesionit të tij, në shërbimet e pastrimit të qytetit.

Historia e tij ka rikthyer kështu vëmendjen jo vetëm te suksesi i muzikës shqiptare në një produksion ndërkombëtar, por edhe te realiteti me të cilin përballen artistët që kanë kontribuar për dekada në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

Të ngjashme