Lifestyle
Lentet e kontaktit mund të rrezikojnë shikimin nëse nuk përdoren siç duhet
5 Korrik, 2026 | 8:23 pm

Gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të zëvendësojnë syzet optike me lentet e kontaktit, kryesisht për arsye estetike dhe praktike. Megjithatë, mjekët okulistë paralajmërojnë se përdorimi i tyre kërkon kujdes maksimal, pasi neglizhenca mund të shkaktojë probleme serioze në shëndetin e syve.
Sipas mjekes okuliste Megi Popa, lentet e kontaktit nuk duhet të mbahen për periudha të gjata dhe duhet të hiqen gjithmonë para gjumit. Ajo thekson se mungesa e higjienës i kthen lentet në një burim bakteresh, duke rritur rrezikun për infeksione dhe dëmtime të syrit.
Rreziku bëhet edhe më i madh gjatë sezonit veror, kur shumë persona futen në det, pishinë apo edhe bëjnë dush pa i hequr lentet. Kontakti i tyre me ujin mund të favorizojë infeksione që, në raste të caktuara, mund të dëmtojnë rëndë shikimin.
Specialistët rekomandojnë që, nëse dikush futet aksidentalisht në ujë me lentet në sy, t’i heqë ato sa më shpejt, të ndjekë rregullat e higjienës dhe, nëse shfaqen skuqje, dhimbje apo turbullim i shikimit, të konsultohet menjëherë me një mjek okulist.
Mjekët kujtojnë se lentet e kontaktit nuk janë thjesht një aksesor estetik, por një pajisje mjekësore, ndaj përdorimi i tyre duhet të bëhet gjithmonë sipas këshillave të specialistit.
















































