Kryefjala Logo

REAGIM URGJENT/ ALO 116 111 u bën thirrje mediave: Kujdes maksimal në raportimin e rastit të vajzës 12-vjeçare në Pogradec

31 Dhjetor, 2025 | 11:36 am

Linja Kombëtare për Fëmijët ALO 116 111 ka reaguar urgjentisht duke u bërë thirrje të gjitha mediave dhe portaleve informative që të tregojnë përgjegjësi maksimale profesionale në raportimin e rastit të vajzës 12-vjeçare në Pogradec.

Në reagimin zyrtar, ALO 116 111 thekson se publikimi i detajeve të panevojshme, informacioneve të pakonfirmuara apo në disa raste edhe të pasakta, nuk ndihmon në sqarimin e situatës, por përkundrazi ndikon drejtpërdrejt në rëndimin e gjendjes emocionale, psikologjike dhe sociale të fëmijës dhe familjes së saj.

Sipas linjës kombëtare, trauma që po përjeton vajza është tejet e rëndë dhe çdo ekspozim publik i pakontrolluar rrezikon ta thellojë edhe më tej situatën, duke sjellë pasoja afatgjata jo vetëm për fëmijën, por edhe për familjarët e saj.

Në cilësinë e një strukture që punon drejtpërdrejt për mbrojtjen e fëmijëve, ALO 116 111 u bën thirrje mediave të ndalojnë publikimin e detajeve identifikuese, përshkrimeve sensacionale apo spekulimeve, duke respektuar parimin themelor të interesit më të lartë të fëmijës, si dhe standardet etike të raportimit kur bëhet fjalë për të mitur.

Reagimi vjen në një moment kur raportimi mediatik kërkon ndjeshmëri të shtuar dhe përgjegjësi profesionale, në mënyrë që informimi i publikut të mos kthehet në një faktor që dëmton më tej viktimat më të pambrojtura.

Të ngjashme