Lajme
Abuzime me detyrën dhe shumë denoncime/ Shkarkohet kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova
30 Dhjetor, 2025 | 7:58 pm

Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, është shkarkuar nga detyra pas një vale të gjatë problemesh serioze dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet. Lajmi bëhet i ditur nga portali JOQ, i cili prej muajsh ka publikuar dhjetëra denoncime të qytetarëve lidhur me mungesën e ujit në banesat e tyre.
Sipas raportimeve të vazhdueshme në JOQ, situata me furnizimin me ujë jo vetëm që nuk është përmirësuar me kalimin e kohës, por në shumë zona të Tiranës është përkeqësuar ndjeshëm. Qytetarët kanë denoncuar se mungesa e ujit ka vijuar edhe gjatë dimrit, duke i lënë familje të tëra pa ujë për ditë të tëra, në një periudhë kur vendi ka pasur reshje të bollshme shiu.
Denoncimet e publikuara nga JOQ kanë ngritur dyshime të forta mbi menaxhimin e burimeve ujore, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitet. Kjo e bën edhe më të pashpjegueshme krizën e ujit në kryeqytet, duke e zhvendosur vëmendjen drejt keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës institucionale.
Përveç mungesës së ujit, një tjetër shqetësim madhor i denoncuar vazhdimisht në JOQ ka qenë gjendja e kanalizimeve në Tiranë. Shpërthimet e tyre në zona të ndryshme kanë shkaktuar probleme serioze për qytetarët, duke rrezikuar shëndetin publik dhe duke paralizuar lagje të tëra të kryeqytetit.
Aktualisht, ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë Skerdi Drenovën në krye të UKT-së. Ndërkohë, qytetarët shprehen se presin që pas gjithë këtyre denoncimeve të vazhdueshme dhe presionit publik, institucionet përgjegjëse të paraqesin më në fund një plan konkret dhe zgjidhje reale për krizën e ujit në Tiranë.



















































