Kryefjala Logo

Paralajmërim i fortë nga Ambasada Amerikane: Mos u martoni për letra, pasojat janë të rënda

21 Dhjetor, 2025 | 5:48 pm

Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një paralajmërim të fortë për qytetarët shqiptarë, duke vënë në dukje rreziqet dhe pasojat serioze ligjore që sjellin martesat fiktive të përdorura si mjet për emigrim në SHBA. Në njoftimin zyrtar theksohet se çdo përpjekje për të siguruar dokumente emigracioni përmes një martese të rreme përbën shkelje të rëndë të ligjit amerikan dhe klasifikohet si krim federal.

Sipas Ambasadës, raste të tilla trajtohen me tolerancë zero dhe mund të çojnë në gjoba të larta, dënime penale, si edhe ndalim të përhershëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet amerikane paralajmërojnë se mashtrimet apo “rrugët e shkurtra” për emigrim jo vetëm që nuk funksionojnë, por rrezikojnë të shkatërrojnë çdo mundësi të ardhshme për udhëtim, studim apo qëndrim ligjor në SHBA.

Në reagim theksohet gjithashtu se pasojat e shkeljeve të ligjeve të emigracionit janë afatgjata dhe shpesh të pakthyeshme. Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të informohen vetëm nga burime zyrtare, të ndjekin procedurat ligjore dhe të shmangin çdo veprim që mund t’i përballë me probleme të rënda ligjore në të ardhmen.

Të ngjashme