Lajme
Stuhi të fuqishme drejt Dubait, policia thirrje banorëve të shmangin udhëtimet
19 Dhjetor, 2025 | 12:01 am

“Për sigurinë tuaj, ju lutemi të jeni të kujdesshëm pasi priten kushte të paqëndrueshme të motit në orët në vijim. Shmangni daljen jashtë përveç nëse është absolutisht e nevojshme deri në mesditën e së premtes”, thuhet në mesazhin e Policisë së Dubait.
Vetëm disa orë përpara paralajmërimit zyrtar, reshjet e rrëmbyeshme të shiut kishin shkaktuar përmbytje në disa rrugë të qytetit të Dubait, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke krijuar situata të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë rrugë të mbuluara nga uji dhe automjete të bllokuara.
Sipas Qendrës Kombëtare për Meteorologjinë (NCM), reshje shiu priten në të gjithë territorin e Emirateve, përfshirë qytetet kryesore si Dubai dhe kryeqytetin Abu Dhabi. Meteorologët kanë paralajmëruar gjithashtu për erëra të forta dhe stuhi lokale, të cilat mund të përkeqësojnë situatën në zonat urbane dhe rurale.
Reshje të dendura shiu janë regjistruar sot edhe në vende të tjera të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, duke treguar se sistemi i motit të paqëndrueshëm po prek një zonë më të gjerë të Lindjes së Mesme.
Paralajmërimet aktuale vijnë në një kontekst veçanërisht të ndjeshëm, pas reshjeve rekord të shiut në prill të vitit 2024, të cilat shkaktuan kaos të madh në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë atij episodi ekstrem, rrugët u kthyen në lumenj, shtëpitë u përmbytën dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait u paralizua për orë të tëra. Si pasojë e përmbytjeve, të paktën katër persona humbën jetën.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin rreziqet, ndërsa shërbimet e emergjencës mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të mundshme.


















































