Kryefjala Logo

SPAK i pret urdhërarrestin Gys Agasit të akuzuar nga Arben Ahmetaj si “nyje lidhëse” mes kryeministrit dhe grupeve kriminale

16 Dhjetor, 2025 | 10:48 am

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka lëshuar urdhërarrest për Ergys Agasin. Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Në të njëjtën çështje, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Ermal Beqiri, ndërsa drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është lënë në masën “arrest shtëpie”.

Kujtojmë se në muajin qershor, me urdhër të SPAK, janë ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit. Dy skuadra të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të shoqëruara nga forca të Policisë së Shtetit, kanë zbarkuar herët në mëngjes në ambientet në pronësi të biznesmenit. Kontrolli është shtrirë në katër adresa, përfshirë banesa në Durrës dhe Tiranë, si edhe subjektet e biznesit që zotërohen nga Agasi.

Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, ka hedhur akuza të rënda publike ndaj kryeministrit Edi Rama. Ahmetaj ka deklaruar se lidhjet mes pushtetit dhe botës së krimit realizohen përmes një “koordinatori”, duke pretenduar se grupet kriminale përfitojnë tendera publikë përmes përfaqësuesve të tyre dhe se paratë e siguruara nga aktivitetet kriminale në Europë pastrohen në Shqipëri përmes ndërtimit dhe investimeve.

Sipas pretendimeve të Ahmetajt, Ergys Agasi shërben si “nyja lidhëse” mes kryeministrit dhe këtyre grupeve kriminale.

Të ngjashme