Lajme
Sulmi terrorist që u mori jetën 16 personave në Australi, autorët babë e bir
15 Dhjetor, 2025 | 12:14 am

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur opinionin publik në Australi, pasi 16 persona humbën jetën, mes tyre edhe një fëmijë, gjatë një sulmi të përgjakshëm në zonën turistike Bondi Beach. Viktimat ishin të moshave nga 10 deri në 87 vjeç.
Sulmi ndodhi në momentin kur në zonë po zhvillohej një aktivitet publik për shënimin e fillimit të festës hebraike Hanukkah, duke e kthyer një ngjarje festive në një skenë tmerri. Policia e shtetit New South Wales ka konfirmuar se rasti po trajtohet zyrtarisht si akt terrorist.
Sipas autoriteteve, në sulm dyshohet se janë përfshirë dy persona, babë e bir. Autori kryesor, një 50-vjeçar, u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa djali i tij 24-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën ruajtje të rreptë policore.
Policia bëri të ditur se 50-vjeçari ishte posedues i ligjshëm i armëve të zjarrit, me gjashtë armë të regjistruara në emrin e tij, për të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit.
Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, deklaroi në një konferencë për shtyp në Sydney se 15 nga viktimat ishin civilë të pafajshëm, ndërsa viktima e 16-të është një nga autorët e sulmit. Ai konfirmoi gjithashtu se 42 persona të tjerë vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor në spitale.
Minns u bëri thirrje qytetarëve për solidaritet dhe unitet, duke theksuar se komuniteti duhet të qëndrojë i bashkuar përballë kësaj tragjedie të rëndë.
“Është thelbësore t’u tregojmë familjeve të prekura se australianët janë pranë tyre dhe po mendojnë për ta, pas këtij sulmi të tmerrshëm dhe të qëllimshëm, në një ngjarje që duhej të ishte festive dhe paqësore,” – u shpreh ai.


















































