Lajme
Belinda Balluku aty ku ishte. Kushtetuesja pezullon vendimin e GJKKO-së
12 Dhjetor, 2025 | 4:50 pm

Belinda Balluku është rikthyer zyrtarisht në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar masën e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, të vendosur më herët nga GJKKO.
Vendimi u mor nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese më 12.12.2025, pas shqyrtimit paraprak të ankimimit të paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, i cili kundërshtonte pezullimin e Ballukut si një tejkalim kompetencash nga ana e Gjykatës së Posaçme. Kushtetuesja vendosi me shumicë votash, 5 pro dhe 3 kundër, pezullimin e efekteve të vendimeve të GJKKO-së, duke i hapur rrugë rikthimit të saj në detyrë.
Sipas reagimit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, çështja lidhet me një konflikt kompetencash mes Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme nga ana tjetër, në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave. Në vendim theksohet se masa e pezullimit cenon garancinë e imunitetit të anëtarëve të qeverisë, parimin e ndarjes së pushteteve, si dhe kompetencat kushtetuese të organeve që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat.
Gjykata Kushtetuese vendosi gjithashtu kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike, për shkak të interesit të lartë publik, duke thirrur si subjekte të interesuara Prokurorinë e Posaçme (SPAK), GJKKO-në, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës. Deri në përfundim të gjykimit përfundimtar, vendimet e GJKKO-së nr. 118 dhe nr. 120, që parashikonin pezullimin e Ballukut nga detyra, mbeten të pezulluara dhe do të publikohen në Fletoren Zyrtare.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi njëzëri kërkesat e partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse, duke argumentuar se ato nuk përmbushin interesin kushtetues të nevojshëm në një çështje që lidhet ekskluzivisht me konfliktin e kompetencave ndërmjet institucioneve shtetërore.
Me këtë vendim, Belinda Balluku i rikthehet plotësisht ushtrimit të funksioneve të saj qeveritare, ndërsa pritet që seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese të japë një interpretim përfundimtar mbi kufijtë e kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor në raste të ngjashme.


















































