Kryefjala Logo

Tre drejtorët e Erjon Veliajt bëhen bashkë me Sali Berishën kundër SPAK. Nuk shkojnë në gyq dhe avokati i Redi Mollës kundërshton : Të dhënat i keni të gabuara, janë vetëm blloqe shënimesh dhe biseda në telefon

10 Qershor, 2025 | 6:21 pm

Gjykata e Posaçme ka nisur gjyqin ndaj tre drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, bashkëpunëtorëve të ngushtë politikë të kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilët akuzohen për disa episode korrupsioni gjatë kohës që kanë qenë në detyrë. Bëhet fjalë për Redi Mollën, Taulant Tushën dhe Mariglen Qaton.

Tre drejtorët e dosjes që ka marrë emrin “5D”, nuk kanë shkuar në sallën e gjyqit në nisje të procesit, por janë përfaqësuar nga avokati Denion Bogdani. Mbrojtësi ligjor i Mollës ka kundërshtuar akuzat e SPAK, duke thënë se të dhënat janë të gabuar dhe se provat e vetme janë disa blloqe shënimesh dhe disa biseda telefonike mes të tretëve, jo vetë Redi Mollës.

“Në këtë proces ne kërkojmë të ketë gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Lidhur me akuzat, shtetasi Redi Molla akuzohet për 7 episode korrupsioni, 4 të kryera në bashkëpunim me Mariglen Qaton dhe 3 i vetëm.

Redi Molla akuzohet se ka korruptuar veten e tij, ky është thelbi i akuzës sepse në 3 raste nuk ka bashkëpunuar. Redi Molla pretendohet se është pronar faktik i 5D. Ku mbështetet prokuroria te pronari faktik? Mbështetet te disa blloqe shënimesh dhe disa biseda në telefon, tek persona të tretë, jo nga vetë Redi Molla.

Pronari faktik në tërësinë e tij është hipotetik. Akuza i ka të dhënat e gabuara dhe ka arritur në konkluzion të gabuar lidhur me të mbrojturin që në përfaqësojmë. Të gjitha mesazhet që i referohet akuza, janë të vitit 2023. Në 7 episode, i fundit në të cilin Molla ka qenë drejtues i entit prokurues, daton në vitin 2020.

Si e lidh prokuroria të qenurit pronar në 2020? Apo në 2016 kur është krijuar Igor Electrik Vas Construcion? Dhe lidhur me akuzën e pastrimit të parave, a është e provuar që Redi Molla është pronar faktik? Absolutisht që jo.

Çfarë veprimesh konkrete ka patur në fshehjen e të ardhurave? Një lidhje të drejtpërdrejtë që të jetë gjendur nga prokuroria nuk ka. Në lidhje me kërkesën për prova, ne nuk kemi sepse kemi kërkuar gjykim të shkurtuar.

Në lidhje me ato që ka paraqitur organi i akuzës, 63 dëshmitarë ka renditur edhe provat shkencore dhe kërkon që dëshmitarët të thirren në bazë të kësaj liste. Renditja e tyre nuk është e saktë, i takon prokurorisë t’i grupojë sipas episodeve. Minimalisht prokuroria duhet të thotë pse i kërkon këto dëshmitarë? Çfarë provojnë ata? Kjo është mangësi që akuza duhet ta plotësojë”, ka thënë avokati Denion Bogdani.

Të ngjashme