Kryefjala Logo

SPAK merr të pandehur deputeten e PS, Klotilda Bushka

23 Korrik, 2025 | 6:35 pm

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Bushka është marrë e pandehur në lidhje me hetimet dhe dosjen e kryebashkiakut Erion veliaj, ku akuzohet për ‘’veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’’.

SPAK përmes një njoftimi zyrtar, bëri të ditur se pas arrestimit të Veliajt, po kryente hetime edhe ndaj deputetes të PS, Klotilda Bushka.

Sipas hetimeve të SPAK, Bushka dyshohej se kishte ndikuar te një dëshmitare lidhur me deklarimet që duhet të jepnin kur të paraqiteshin në prokurori.

“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.” – njoftoi SPAK.

Vetë Bushka, disa muaj më parë, përpara deputetëve socialistë, mohoi që të kishte kryer veprime antiligjore.

Më 12 shkurt Bushka, mohoi implikimin e saj në veprime antiligjore siç pretendon SPAK. Para mbledhjes së grupit socialist, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama Bushka pohoi se ka njohje me Veliajn dhe Xoxën dhe miqësi të vjetër me ta, por kurrë nuk ka interferuar në paligjshmëri, madje akuzat dhe lajmin e ka mësuar vetëm nga mediat.

“Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën por kam bashkëpunuar me të edhe para se të bëhesha deputete dhe ky është një fakt i ditur. Erjon Veliaj është miku im i fëmijërisë. Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku por edhe për transformimin e kryeqytetit. Kjo lidhje më ka bërë që të përjetoj bashkë me ta gjithë kalvarin e muajve të fundit, përfshirë linçimin publik dhe trysninë e vazhdueshme që u është dashur të përballojnë.

Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës, duke e mbështetur si mike por edhe si ish-kolege në nivelin njerëzor. Me Erionin për shkak të angazhimeve kam pasur mundësinë të flasë më rrallë. Në çdo rast i kam transmetuar besimin e palëkundur tek e drejta, e vërteta, te drejtësia”, tha Bushka aso kohe.

Të ngjashme